Shala i PDK-së: Vendimi për suspendimin e drejtorit të KEK-ut është i vonuar
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka vlerësuar se vendimi i bordit drejtues të KEK-ut për të suspenduar drejtorin e kësaj kompanie, Nagip Krasniqi, është i vonuar.
Në debatin e sotëm parlamentar, i cili është thirrur nga opozita, ai ka kërkuar se qeveria duhet të distancohet nga Krasniqi.
“E konsiderojmë të papranueshëm faktin se bordi i drejtorëve si organi më i lartë drejtues i ndërmarrjes ka reaguar me vonës në pezullimin e z. Krasniqi, i cili tashmë është i arrestuar. Rrjedhimisht çfarëdo mosveprimi dhe mosdistancimi nga z. Krasniqi, bordi i drejtorëve dhe Qeveria e Kosovës janë po aq përgjegjës për një rast të tillë për të cilin drejtori i KEK është arrestuar për shkak të dyshimit që ka kryer vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konflikt interesi”, ka thënë Shala.
Sipas tij, bordi i kësaj kompanie ka bërë shkelje edhe dje kur ka vendosur të emëron pasuesin e Krasniqit.
“Po ashtu bordi i drejtoreve dhe qeveria dje bën shkeljen e radhës, duke vendosur ushtrues të detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Përparim Kabashin, i cili gjithashtu rezulton të jetë i dyshuar për vepra penale në dëmë të ndërmarrjes KEK”, ka thënë Shala.