Shala i sheh normale debatet brenda PDK-së: Stagnim po shkakton mungesa e Kadri Veselit

26 mars 2021 | 16:04

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, është duke i vlerësuar si normale debatet e fundit brenda kësaj partie, ku disa anëtarë janë duke kërkuar dorëheqjen e Kryesisë dhe Këshillit Drejtues.

Madje sipas tij, është normale që të kërkohen ndryshime të strukturave të partisë nga të pakënaqurit.

Shala ka thënë se në çdo parti mund të kenë qëndrime ndryshe në raport me proceset që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin brenda skenës politike.

“Partia Demokratike si asnjë parti tjetër konsideroj që debatin e brendshëm e ka shumë të hapur dhe janë krejtësisht normale, mendimet ndryshe, kritikat ndryshe qëndrimet ndryshe në raport me procese që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin brenda skenës politike”.

“Kështu që është diçka që është krejt normale kur aktivistë shumëvjeçarë dhe punëtorë e simpatizantë të kësaj partie, por edhe struktura udhëheqëse kanë mendim ndryshe në raport me momentet të caktuara të zhvillimit të ngjarjeve brenda partisë”, ka thënë Shala.

Më tutje, deputeti Shala ka thënë se PDK-ja është pjesë e proceseve të ndryshimit dhe reformimit të vendit.

Mirëpo sipas tij, stagnim në këtë parti është duke shkaktuar mungesa e Kadri Veselit, i cili është në paraburgim në Hagë.

“PDK-ja ka disa vite që është pjesë e proceseve të ndryshimit, pra qysh kur ishte kryetari Veseli, direkt si erdhi në krye të partisë ka filluar një proces i reformimit të brendshëm, të reformit jo vetëm kadrovik, por edhe politik të partisë dhe është pjesë  e pandashme e lëvizjes në drejtim më të mirës në raport me kohën, pra PDK është në proces të reformimit”.

“Ndoshta për momentin kemi një stagnim të vogël për shkak të lëvizjeve dhe mungesë edhe të Veseli, por jam thellë i bindur që kapacitetet që ka thellë Kryesia dhe Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike do të vazhdojnë rrugëtimin e reformave të brendshme dhe konceptin me të cilin do vazhdojë rrugëtimin e saj”, ka deklaruar Shala.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria Kurti ka emëruar Ilir Aliun zv/ministër në Ministrinë e…