Shala: Jua tregoj projektin e ri të Istogut
Trajneri Faruk Shala në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se KHF Istogu, pas sukseseve të arritura në këtë edicion, në një periudhë prej tri vjetësh do të jetë skuadra e parë nga Kosova që do të marrë pjesë në garat e Ligës së Kampionëve. Për edicionin e ri, Shala konfirmoi se synohet mbrojtja e të dy trofeve të fituar në kampionatin që përfundoi javën e kaluar.
Trajneri i KHF Istogu, Faruk Shala, e vlerëson edicionin e sapopërfunduar shumë të suksesshëm për skuadrën e Istogut për faktin se e ka kompletuar planin dyvjeçar. Trajneri Shala në këtë intervistë për “Epokën e re” ka zbuluar se është hartuar një plan i ri që kampionia e re e Kosovës të bëhet skuadra e parë që do të marrë pjesë në garat e Ligës së Kampionëve. Ne e kemi hartuar një projekt trevjeçar të cilin ia kemi prezantuar ministrit Kujtim Gashi dhe kemi marrë përkrahjen e tij për zhvillimin dhe ngritjen e mëtutjeshme të KHF Istogu, kurse këtë projekt ia kemi paraqitur edhe kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova. Projekti ynë parasheh që në afat prej tre vjetësh të ndërtojmë një skuadër që do të jetë e para që do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Shala.
“Epoka e re”: KHF Istogu e përmbylli një edicion fantastik. Pas paraqitjes dinjitoze në garat ndërkombëtare, arritët ta fitoni Kupën dhe titullin në rrafshin vendor. Sa ishte i vështirë ky rrugëtim deri te këto suksese për skuadrën tuaj?
Shala: Ky është viti më i suksesshëm i Klubit të Hendbollit Istogu. Me fitimin e titullit të kampionit të Kosovës e kemi përmbyllur një projekt dyvjeçar, ku kemi planifikuar që në afatin prej dy vjetësh të ndërtojmë një skuadër dominuese në hendbollin e Kosovës. Projekti ynë është realizuar 100 % ngaqë kemi fituar të gjithë trofetë e mundshëm dhe kemi qenë superiorë ndaj skuadrave të tjera në vend. Gjithashtu, kemi arritur të eliminojmë skuadra shumë me përvojë në kupat evropiane, duke qenë pjesë e 16 ekipeve më të mira në Evropë në Challenge Cup. Këtu me pak fat ndoshta kemi mundur të japim edhe më shumë, por janë paraqitur kanë disa pengesa teknike. Përpos përfaqësimit dinjitoz, në kupat e Evropës kemi përfituar një përvojë të jashtëzakonshme, e cila do të na shpërbejë shumë në paraqitjet tona në të ardhmen. Natyrisht se arritja e tërë këtyre rezultateve ka qenë shumë e vështirë. Ky ka qenë kampionati më i mundimshëm për ne, por kemi arritur të gjitha synimet tona. Ky doli të jetë kampionati i krenarisë për ne dhe qytetin tonë. Me këtë përfundon një kapitull, por fillon një epokë e re për KHF Istogu.
“Epoka e re”: Sa ju ndihmoi në rrugëtimin drejt këtyre sukseseve përkrahja e madhe nga qyteti i Istogut, por edhe vlerësimi dhe respekti nga mbarë Kosova?
Shala: Të arriturat ishin më shumë mund dhe sakrificë, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat ka kaluar klubi ynë dhe faktin që jemi një qytet i vogël që nuk kemi pasur suksese të mëdha në cilësi të klubeve dhe për të arritur që hendbollin ta bësh sport të dashur në komunë është dashur shumë angazhim, vit pas viti me punë dhe rezultate, hendbolli femëror në qytet është bërë sporti numër një në komunë. Tani qytetarët istogas jetojnë me krenarinë që kanë klubin më të mirë në vend, bashkëndiejnë të gjitha sukseset dhe rezultatet tona. Kjo ka bërë që të rritet përkrahja nga qytetarët, prindërit, bizneset dhe institucionet. Paraqitja e hendbollisteve me një elegancë dhe edukatë të veçantë, qoftë në ndeshjet e nivelit shtetëror dhe atij ndërkombëtar dhe rezultatet e mira të tyre, ka bërë që klubi ta fitojë simpatinë dhe përkrahjen jo vetëm të qytetarëve istogas, por të gjithë Kosovës. Ky fakt është e arritura më e madhe për ne.
“Epoka e re”: Keni përmbyllur një mision të suksesshëm. Ju lutemi, na shpjegoni më konkretisht se çfarë përmban projekti i radhës i skuadrës së Istogut?
Shala: Ne e kemi hartuar një projekt trevjeçar të cilin ia kemi prezantuar ministrit Kujtim Gashi dhe kemi marrë përkrahjen e tij për zhvillimin dhe ngritjen e mëtutjeshme të KHF Istogu, kurse këtë projekt ia kemi paraqitur edhe kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova. Projekti ynë parasheh që në afat prej tre vjetësh të ndërtojmë një skuadër që do të jetë e para që do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve. Kryetari ka premtuar se do ta gjejë formën ligjore adekuate që të përkrahet klubi dhe të jetë prioritet sportiv në komunë. Gjithashtu, presim mbështetjen e asamblesë komunale, bizneseve dhe qytetarëve istogas. Me përkrahjen e tyre jemi të sigurt që projekti ynë do të jetësohet dhe në afatin prej tre vjetësh ne do të jemi pjesë e grupeve të Ligës së Kampionëve.
“Epoka e re”: Sigurisht se synimi i KHF Istogu është mbrojtja e trofeve edhe në kampionatin e ri, por a keni realizuar ndonjë lëvizje për t’ju ndihmuar në këtë rrugëtim?
Shala: Kemi filluar të mendojmë për edicionin e ri të hendbollit, pasi kemi finalizuar marrëveshjet me tri hendbolliste me përvojë që vijnë nga shtetet evropiane. Në vjeshtë presim t’i zhvillojmë ndeshjet në qytetin tonë. Synojmë të jemi prapë kampionë dhe fitues i Kupës dhe ta bëjmë hapin e parë drejt ambicieve të përgjithshme të garave evropiane, pra të kalojmë më shumë runde dhe t’i afrohemi sa më shumë fazës finale.
/Veton ZYMBERI/