Shala: Kërkesa për zgjedhje të reja, joserioze

05 prill 2018 | 17:39

Njohësi i rrethanave politike, njëherësh drejtor ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, ka thënë se kërkesa për zgjedhje të reja është joserioze. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se nuk ka gatishmëri dhe kushte për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme.

Ai ka shprehur skepticizëm sa i përket ngritjes së mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. Sipas Shalës, as Lëvizja Vetëvendosje dhe as Grupi i Deputetëve të Pavarur nuk do të bëhen bashkëpunëtorë të Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë. Ai ka theksuar se askush nuk dëshiron që vota për rrëzimin e Qeverisë të identifikohet me kërkesën e Listës Serbe, e cila është skajshmërisht kundër Kosovës dhe interesave të saj. Pavarësisht prej problemeve, Shala ka thënë se Qeveria Haradinaj do të vazhdojë të funksionojë edhe për një kohë.

“Qeveria në këtë përbërje do të vazhdojë sepse është e vetmja që mund t’i çojë përpara disa procese siç janë Asociacioni, Gjykata Speciale dhe dialogu me Serbinë të cilat janë projekte të bashkësisë ndërkombëtare. Po të ishte një situatë normale në Kosovë, kurrë bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejonte të qeverisin Kosovën Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj. Por, tash për tash, bashkësisë ndërkombëtare i duhen muskujt e këtyre për t’i çuar përpara këto procese të cilat në disa raste edhe e dëmtojnë Kosovën”, ka theksuar Shala.

“Epoka e re”: Z. Shala, pas zhvillimeve të fundit, përkatësisht pas largimit të Listës Serbe, si e shihni funksionimin e koalicionit qeverisës. Mund të vazhdojë Qeveria Haradinaj punën pa shumicën e thjeshtë në Kuvend?
Shala: Qeveria me këtë përbërje do të vazhdojë për faktin se është e vetmja që mund t’i çojë përpara disa procese siç janë Asociacioni, Gjykata Speciale dhe dialogu me Serbinë, të cilat janë projekte të bashkësisë ndërkombëtare. Po të ishte një situatë normale në Kosovë kurrë bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejonte të qeverisin Kosovën, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj. Tash për tash bashkësisë ndërkombëtare i duhen muskujt e këtyre për t’i çuar përpara këto procese të cilat, në disa raste, edhe e dëmtojnë Kosovën. Prandaj bashkësia ndërkombëtare nuk ka asnjë interesim për ta rrëzuar këtë Qeveri. Kurse sa i përket shumicës së thjeshtë në Kuvend, opozita nuk do të thotë se duhet ta kundërshtojë çdo ligj i cili dërgohet në Kuvend për miratim. Pra, opozita do ta përkrahë çdo ligj i cili është në dobi të qytetarëve të Kosovës. Do të thotë, në këtë mënyrë, pavarësisht prej problemeve, Qeveria Haradinaj do të vazhdojë tutje. Në fakt, është një situatë e rëndë, por Qeveria do të vazhdojë edhe për një kohë. Tash për tash këta lojtarë në skenën politike janë të pazëvendësueshëm, sepse kanë mision për të përmbushur një agjendë të bashkësisë ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Opozita ka paralajmëruar ngritjen e një mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale. Prisni një mocion të tillë?
Shala: Nuk besoj se opozita do të parashtrojë mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale. As Lëvizja Vetëvendosje e as Grupi i Deputetëve të Pavarur nuk mendoj se do të bëhen argatë të Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Askush nuk dëshiron që vota për rrëzimin e Qeverisë të identifikohet me kërkesën e Listës Serbe, e cila është skajshmërisht kundër Kosovës dhe interesave të saj. Është e pamoralshme që Lista Serbe të shërbejë si pretekst për rrëzimin e Qeverisë kur ka 100 arsye të tjera të cilat mund të përdoren për ta larguar këtë Qeveri. Nuk shoh një mjedis i cili do të shkonte në favor të mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

“Epoka e re”: Si e shihni kërkesën e partive opozitare për zgjedhje të reja parlamentare?
Shala: Kërkesa për zgjedhje të reja më tepër është një kërcënim sesa përpjekje serioze e subjekteve politike. Nuk ka gatishmëri dhe as kushte për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme. Madje mbajtja e zgjedhjeve nuk do të kishte kuptim pa u kryer një reformë e thellë zgjedhore. As institucioni që është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, KQZ-ja, nuk ka legjitimitet dhe nuk është e kompletuar. LDK-ja është e vetmja që po ngulmon për zgjedhje dhe po kërkon të caktohet data e tyre. Edhe Lista Serbe është shprehur për zgjedhje të reja. Subjektet e tjera nuk janë të interesuara për zgjedhje. Madje kryeministri Haradinaj ka bërë humor me LDK-në duke thënë se ‘nëse doni zgjedhje, ne ua japim edhe votat tona’. Përcaktuese për mbajtjen apo mosmbajtjen e zgjedhjeve është bashkësia ndërkombëtare e cila, po të dëshironte zgjedhje, do të dërgonte një sinjal të qartë.

“Epoka e re”: Pra, shumicës së partive nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje?
Shala: Asnjë subjekt politik nuk është i sigurt për rezultatin në zgjedhje. LDK-ja, për taksirat të vetin, e ka marrë rolin e PDK-së në zgjedhjet e fundit e cila u çua peshë dhe ka pësuar duke u renditur e treta. LDK-ja po mendon se me ndarjen e Vetëvendosjes dhe përçarjen eventuale të partive në koalicion mund të fitojë, por kjo nuk do të ndodhë sepse do të ketë shpërndarje të votës. Realisht, të gjithë po deklarohen se janë të interesuar për të shkuar në zgjedhje. Shkuarja në zgjedhje nuk i konvenon as LDK-së e cila ka mungesë të lidershipit. Pra, ka rryma të cilat pretendojnë ta zënë vendin e Isa Mustafës dhe kjo ndikon pastaj në rezultatin zgjedhor. PDK-ja nuk ka besim të shkojë në zgjedhje sepse aty kemi dy rryma. Është rryma e Hashim Thaçit, rryma e Kadri Veselit si dhe është një grup as për e as kundër, por që presin se kush do të fitojë dhe atij t’i shërbejnë. PDK-ja nuk ka interesim të shkojë në zgjedhje, por edhe nëse ka zgjedhje, PDK-ja do të ndahet më mirë se në zgjedhjet e fundit, ku u dëmtua nga koalicioni parazgjedhor. Edhe Lëvizja Vetëvendosje është ndarë dhe nuk i konvenojnë zgjedhjet. As Grupi i Deputetëve të Pavarur nuk ka interesim të shkojë në zgjedhje, sepse nuk është i sigurt nëse do të kalojë mirë. Nisma Socialdemokrate e ka arritur atë maksimumin e mundshëm dhe nuk mund të arrijë më shumë, përkundrazi mund të shënojë rënie. I vetmi subjekt i cili mund të ketë rritje është AAK-ja. Listës Serbe i konvenon shkuarja në zgjedhje sepse është parti e Serbisë në Kosovë dhe e ka përkrahjen e Beogradit. Fatkeqësisht, e ka përkrahjen edhe të Thaçit dhe të tjerëve. I vetmi person që ka plotësisht arsye dhe vullnet për të shkuar në zgjedhje është presidenti Hashim Thaçi, i cili me zgjedhje të jashtëzakonshme do ta mbulonte skandalin e deportimit të shtetasve turq, çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si dhe procesin e bisedimeve me Serbinë.

“Epoka e re”: Po sikur të ketë zgjedhje të reja, do të ketë ndryshime në skenën politike?
Shala: Nuk pres të ketë zgjedhje, së paku jo brenda gjashtë muajve. Edhe nëse do të ketë, sipas mendimit tim, nuk do të ketë asnjë ndryshim në skenën politike. Asnjë parti nuk mund t’i fitojë zgjedhjet pa një koalicion parazgjedhor dhe pa një koalicion jonormal pas zgjedhjeve. Kosova nuk ka gatishmëri për të shkuar në zgjedhje sepse qytetarët janë lodhur nga proceset zgjedhore. As bashkësia ndërkombëtare nuk i pranon zgjedhjet e parakohshme sepse janë duke u zhvilluar disa procese, siç është Asociacioni, Gjykata Speciale dhe dialogu me Serbinë të cilat mund të shkojnë përpara me këtë klasë udhëheqëse.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Postës së Kosovës,…