Shala kërkon që Limaj të dorëhiqet nga ekipi negociator nëse ka pasur bisedime ‘prapa shpine’ në Berlin
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala ka thënë se takimet e fshehta që mbahen në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe shkojnë në dëm të Kosovës.
Shala, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se Kosova ka një Ekip negociator të votuar në Kuvend, dhe anashkalimi i këtij ekipi nga ana e Qeverisë nuk mund të quhet ndryshe pos “dështim i kësaj Qeverisë”.
“Nëse më të vërtetë ky ekip ka shkuar në bisedime pa u konsultuar me Ekipin negociator, unë nuk e di pse Ekipi negociator i votuar në Kuvend nuk jep dorëheqje. Ata duhet të japin dorëheqje dhe t’i thonë Kryeministrit: ‘vazhdo më këta individë që i ka dërguar në mënyrë të fshehtë’”, tha ai, përcjell Telegrafi.
I pyetur nëse veprimet e këshilltarëve të Haradinajt në Berlin do të cenonin raportet e mira AAK-Nisma, Shala ka thënë se nëse ata persona kanë bërë negociata Limajt nuk i mbetet zgjidhje pos dorëheqjes.
“Nëse zoti Haradinaj i ka dërguar këta dy individë apo këshilltarë për të negociuar apo për vazhdimin e negociatave pa u konsultuar me Ekipin negociator, zotin Limaj e kam kryetar dhe nuk kam biseduar me të ende për këtë çështje, por nuk i mbetet gjë tjetër dhe unë po të isha në vend të tij do të kisha dhënë dorëheqje [nga Ekipi negociator], sepse nuk do ta kisha marr një barrë për të drejtuar vendin e dikush tjetër të punojë mbrapa shpinës, por ndoshta e kanë bërë në konsulta të përbashkëta”, tha ndër të tjera Haxhi Shala.