Shala kërkon takim me psikolog: Gjendja mendore e ‘Ujkut’ mund të shfrytëzohet si provë në gjykim nga mbrojtja
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, ka dorëzuar kërkesë për konsultë me një psikologe në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Shkak për këtë, sipas mbrojtjes, për shkak të problemeve shëndetësore që ka “Ujku”.
Kërkesa është dorëzuar te trupi gjykues, megjithatë deri më tash nuk është ndonjë vendim publik se çka është vendosur, raporton “Nacionale”.
“Mbrojtja për z. Pjetër Shala (përkatësisht ‘mbrojtja’ dhe ‘akuzuari’) paraqet këtë kërkesë që znj. Vanessa Milazzo, një eksperte psikologjike e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Ekspertëve të Gjykatës Kombëtare të Belgjikës, të kryejë vizita speciale te i akuzuari më 18 dhjetor 2023 dhe 19 dhjetor 2023 (datat që do të konfirmohen në konsultim me Njësinë e Menaxhimit të Paraburgimit (DMU)”, është thënë në kërkesë.
Përveç konsultimit me psikologen, mbrojtja e Shalës do të kërkojë që nga takimet, të paraqiten disa prova të cilat do të shfrytëzohen në gjykim. Nëse ‘Ujku’ dënohet, gjendja psikologjike të përdoret si masë lehtësuese.
“Mbrojtja jep më tej njoftimin se do të kërkojë të prezantojë prova nga znj. Milazzo për qëllime të dënimit, në formën e një raporti para dënimit të prodhuar në bazë të këtyre vizitave dhe/ose dëshmisë së drejtpërdrejtë të znj. Milazzo para trupit gjykues”.
“Në përputhje me Rregullën 163 të Rregullores së Procedurës dhe Provave Para Dhomave të Specializuara të Kosovës (‘rregullat’), në përcaktimin e dënimit të duhur, Paneli do të marrë parasysh faktorët lehtësues, përfshirë sjelljen e personit të dënuar pas aktit”, është thënë në kërkesë.
Më tutje, kërkesa ka sqaruar për përvojën e psikologes, dhe rëndësinë e takimit me Pjetër Shalën.
“Znj. Milazzo është një eksperte psikologjike e certifikuar, e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Ekspertëve Ligjor belg. CV-ja e saj i bashkëngjitet kësaj kërkese si shtojca 1.9. Mbrojtja parashtron se znj. Milazzo është një eksperte e përshtatshme, e cila do të lehtësojë aftësinë e të Akuzuarit për të diskutuar informacione në lidhje me gjendjen e tij mendore, ndikimin që këto procedura kanë pasur në jetën e tij dhe sjelljen e tij që nga viti koha e luftës deri më sot”.
“Mbrojtja synon të paraqesë prova për qëllime të dënimit në lidhje me sjelljen e të akuzuarit pas akuzave, dhe veçanërisht, me shëndetin e tij mendor. Mbrojtja pohon se, në rast se i Akuzuari dënohet për ndonjë akuzë në aktakuzën e konfirmuar, provat e tilla do ta ndihmojnë Panelin në shqyrtimin e duhur të faktorëve lehtësues relevantë dhe do të lejojë shqiptimin e një dënimi më të drejtë”, është thënë në kërkesën e mbrojtjes.
Kjo kërkesë vjen pas vendimit të trupit gjykues, që ka caktuar kohën kur mbrojtja do të duhet ta mbyllë rastin e saj.
“Mbrojtja vëren gjithashtu se znj. Milazzo është në dispozicion më 18 dhe 19 dhjetor 2023 dhe, në dritën e kërkesës që vizitat të organizohen pesëmbëdhjetë ditë kalendarike përpara, i kërkon panelit të udhëzojë sekretarin dhe DMU që të lejojnë një heqje dorë nga një kërkesë e tillë. Mbrojtja vëren se ka vepruar me shpejtësi, pasi vetëm më 29 nëntor 2023 paneli caktoi çështjen e synuar për mbylljen e çështjes së mbrojtjes, dhe se mbrojtja identifikoi shpejt një ekspert të përshtatshëm për të kryer një vlerësim për ta paraqitur për qëllime të dënimit. Për më tepër, për të kryer siç duhet një vlerësim të të Akuzuarit, Mbrojtja kërkon që znj. Milazzo t’i jepen të paktën tre orë gjatë çdo vizite”, është thënë në kërkesë.
Shala akuzohet për krime lufte të cilat pretendohet se janë kryer në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.