Shala kritikon qeverinë për shpenzimet prej mbi 29 milion euro: Shëtitje globale me rezultat zero, do të kërkojmë sqarime

22 prill 2025 | 13:50

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, për FrontOnline ka folur për shpenzimet e institucioneve gjatë tri viteve të fundit, të cilat kanë arritur në mbi 29 milionë euro për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje dhe akomodim.

Shala ka theksuar se rritja enorme e këtyre shpenzimeve nuk ka sjellë asnjë kthim real për vendin, duke vënë në pah mungesën e rezultateve konkrete dhe dëmet që, sipas tij, po u shkaktohen qytetarëve. “Është e vërtetë se ka një rritje enorme të shpenzimeve të qeverisë, por fatkeqësisht nuk kemi një rezultat kthyes dhe sikur të arsyetoheshin shpenzimet e Qeverisë me të hyrat politike të vendit,” ka deklaruar Shala.

Ai ka theksuar se këto shpenzime jo vetëm që nuk kanë përmirësuar pozitën ndërkombëtare të vendit, por kanë ndikuar negativisht në raportet me partnerët strategjikë dhe në klimën investuese. “Të gjitha këto shpenzime të mëdha kanë rezultuar që sot ne nuk kemi raporte bashkëpunimi me shumë institucione ndërkombëtare dhe vendore. Sot ne nuk kemi investitorë të ardhshëm. Gjitha këto shëtitje nëpër glob kanë rezultuar me rezultat zero,” ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së e ka quajtur Qeverinë joefikase, duke e lidhur rritjen e shpenzimeve me përkeqësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve. “Qeveria ka rritur shpenzimet, por efikasiteti i saj ka qenë minimal. Këto shpenzime kanë reflektuar në gjithë parametrat zinxhiror dhe këto i atakojnë edhe qytetarët – në vazhdimësi do të kemi inflacion të rritjes,” u shpreh Shala.

Ai përfundoi duke paralajmëruar veprime zyrtare nga ai qoftë në pozitë apo si opozitë në të ardhme,  në lidhje me këto çështje, duke shtuar se rritja e shpenzimeve në muajt e fundit është veçanërisht shqetësuese, për shkak të statusit të Qeverisë në detyrë. “Kemi një Qeveri që ka rritur shpenzimet dhe ka varfëruar qytetarët. Sigurisht ne do të kërkojmë sqarime dhe në vija zyrtare jemi duke i përcjellur gjitha këto shpenzime enorme që po bëhen, veçmas në muajt e fundit kur Qeveria është pa mandat,” ka përfunduar Shala.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se deputetët e…