Shala kritikon qeverinë: S’ka asnjë investitor të huaj serioz brenda këtij mandati

29 dhjetor 2024 | 14:07

Qeveria aktuale brenda këtij mandati ka dështuar në tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë, duke përqendruar vëmendjen vetëm tek investimet nga diaspora dhe duke i konsideruar ato si të vetmet lloj investimesh të jashtme.

Kështu ka vlerësuar kryetari Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, i cili ka kritikuar mënyrën se si qeveria trajton mërgatën si “investitorë të jashtëm” vetëm përmes investimeve në patundshmëri.

Kjo situatë, sipas Shalës, ka krijuar një imazh negativ të Kosovës si destinacion për investime, duke e bërë më të vështirë tërheqjen e kapitalit të huaj dhe duke penguar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Kritika e deputetit të PDK-së, shtrihet gjithashtu edhe te menaxhimi i ndërmarrjeve publike, të cilat, sipas tij, janë trajtuar në mënyrë politike dhe nuk kanë sjellë rezultate të kënaqshme për ekonominë.

Në këtë kontekst, Shala ka thënë se pa një reformë të thellë dhe një qeverisje më të përgjegjshme, mundësitë për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe për përmirësimin e klimës së biznesit do të mbeten të kufizuara.

“Tek investitorët e jashtëm qeveria të vetmen shifër e ka kalkulimin e mërgatës dhe parasë që vjen mërgata në investime në Kosovë dhe kjo është mbi 70 për qind. Ky është investim në patundshmëri, që mërgata kanë sjellë para dhe kanë blerë patundshmëri, dhe qeveria si investitor të jashtëm po i trajton këta. Përndryshe, nuk e kemi asnjë investitor të  jashtëm që ka ardhë dhe ka filluar të punojë diçka të re brenda këtij mandati qeverisës. Pra, ka një rënie të theksuar të investimeve dhe të interesimit të investitorëve të jashtëm si rezultat i një situate të burokracisë, papërgjegjësisë, jo atmosferës investive dhe luftës së madhe propagandistike për situatën e sigurisë që e ka bërë…Qeveria ka krijuar atmosferë të pafavorshme për bizneset…Fatkeqësisht kemi krijuar një imazh jo të mirë e të besueshëm që të tjerët të vinë dhe të sjellin kapitalin në Kosovë. Kjo pastaj ka reflektuar me mbylljen dhe ikjen e të rinjve jashtë vendit, në mbylljen e vendeve të punës e me radhë”, ka thënë Shala për “Kosovapress”.

Duke folur për ngecjet që i janë shkaktuar vendit në aspektin ekonomik, ai kritikon qeverinë edhe për keqmenaxhim me ndërmarrjet publike. Sipas tij, asnjë nga ndërmarrjet publike sot nuk përformon me rezultat pozitiv.

Në anën tjetër, Shala flet edhe për Ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, të kthyer për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës nga ana e presidentes, Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, në këtë rast mazhoranca e ka vonuar me procedura të brendshme administrative nga një komision në tjetrin dhe tashmë ka kaluar çdo afat i realizimit dhe mundësisë që ai ligj të jetë funksional.

Mësohet se Komisioni e ka shqyrtuar vendimin e Presidentes më datë 5 dhjetor, ku është propozuar nga shumica parlamentare që të mos mirret vendim derisa të ketë “interpretim nga Komisioni për legjislacion lidhur me dispozitat e Rregullores së Kuvendit lidhur me kthimin e ligjit” sepse ka kërkuar Komisioni për siguri për shkak se edhe në atë komision është kthyer një ligj. Pra, nga ajo datë Komisioni për legjislacion s’ka bërë ndonjë interpretim dhe tani edhe afati prej 4 javësh, është konsumuar për dërgimin e rekomandimit të Komisionit për ekonomi dhe kjo siç mësohet për shkak të “neglizhencës” së shumicës parlamentare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ishte…