Shala, Kurtit: Bëhu edhe ministër i Arsimit, jepi fund grevës
Deputeti i Partisë Demokratike Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është fajtori kryesor për grevën në arsim.
Ai në foltoren e Kuvendit ka thënë se nuk mund ta kuptojë Kurtin për krijimin e krizës në arsim.
“Sot nuk mund ta kuptojë egon dhe personalitetin e kryeministrit për të krijuar këtë situatë krizë me arsimin. Po kush duhet të përgjigjet për këtë punë para kryeministrit dhe qeverisë? Sinqerisht edhe në rrethana lufte kemi pasur një përgatitje më të mirë në arsim dhe një dinjitet të mësimdhënësve. Unë e kam përjetuar shkollën edhe në tenda në grykën e Kizhnarekës, por kështu me këtë nënçmim, me këtë përbuzje , me këtë mospërfillje dhe me këtë padinjitet ndaj punëtorëve të arsimit të shkollës shqipe nuk kam parë edhe pse i kam mbi 45 vjet përvojë pune në arsim”.
“Vendose masën e dhunshme edhe në arsim sikurse në shëndetësi dhe zgjidhe problemin. Po pajtohemi, e ke vendos një masë të veçantë – jashtëzakonshme në shëndetësi, pas pandemisë, vendose edhe në arsim dhe merri të gjitha kompetencat, e ke atë mundësi dhe zgjidhe krizën – kthej nxënësit në shkollë. Mos dil këtu të vajtosh për sindikatat duke e bërë personalitet të pakontestueshëm ose të kontestueshëm një sindikalit i cili ka të drejtat e veta legjitime”, ka thënë Shala.