Shala masa të reja në përkrahje të prodhuesve vendor, ndalon eksportin e lëndës së parë drunore
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala në vazhdën e mbrojtjes së prodhuesve vendor, ka propozuar ndalimin e eksportit të masës drunore, për shkak se është duke dëmtuar rëndë sektori i përpunimit të drurit në vendin tonë, gjithashtu lejimi i këtij aktiviteti po i rritë prerjet ilegale të pyjeve.
Shala ka propozuar këtë masë ndalimi para kabinetit qeveritar duke dhënë arsyetimin.
“Në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si bartëse e këtij propozim vendimi për ndalimin përkohësisht të eksportit të masës drunore si lëndë e papërpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve tjera, për arsye të dëmtimit në sektorin e përpunimit të drurit në vendin tonë, shkurtimisht të paraqes bazën ligjore dhe rëndësinë e këtij propozim vendimi. Masa për ndalimin përkohësisht të eksportit të masës drunore është bërë për arsye se lejimi i vazhdueshëm i eksportit të masës drunore për eksport në vendet tjera si lëndë e papërpunuar (trupa), në një kohë kur të gjitha vendet përreth e kanë ndërprerë eksportin nga vendet e tyre, është duke dëmtuar rëndë sektorin e përpunimit të drurit në vendin tonë. Gjithashtu lejimi i këtij aktiviteti po i rritë prerjet ilegale në Kosovë qoftë për masë drunore teknike edhe për masën drunore dru zjarri”, ka thënë Shala në mbledhjen e Qeverisë.
Sipas tij, kapacitetet vjetore të shfrytëzimit të drurit nuk i përmbushin nevojat vendit tonë, prandaj lejimi i eksportit e rrezikon fondin pyjore si dhe paraqet probleme të menaxhimit të qëndrueshëm të Pyjeve në Kosovë.
“Prandaj, propozimi për pezullimin e përkohshëm të eksportit të masës drunore e parandalon prerjen ilegale të pyjeve duke pasur parasysh kapacitetet e Komunave për mbrojtje të pyjeve si dhe e ruan fondin pyjor në Kosovë dhe i mundëson për përpunueseve të drurit furnizim më të qëndrueshëm me lëndë të parë. Ky propozim vendim është hartuar në përputhje me procedurat e parapara me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 09/2011 si dhe në konsultim dhe po ashtu edhe me rekomandim të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka thënë Shala.