Shala: MASHTI po e dështon edhe një vit shkollor
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Muzafer Shala, ka akuzuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit se ka dështuar t’i bëjë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.
Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se duke mos i bërë këto përgatitje MASHTI po e dështon edhe një vit shkollor.
“Për dallim nga shumë vende që i përditësojnë të dhënat e udhëzimeve administrative dhe udhëzuesve rreth përgatitjeve të mbarëvajtjes së arsimit, në Kosovë nuk ka ndodhur ende një gjë e tillë nga MASHT-i. Në këto momente kur po flasim, situata në terren është alarmuese dhe shumë drejtor shkollash që kemi pyetur thonë se askush nuk i ka kontaktuar për asgjë”, ka thënë ai.
Shala ka ngritur një sërë shqetësimesh në lidhje me këtë situatë dhe ka kritikuar Qeverinë dhe ministrinë e Arsimit, duke thënë se në vend të përgatitjeve intensive, qeveritarët kaluan pushimin veror në bregdet dhe sallone dasmash.
“I bëjmë apel Ministrisë së Arsimit dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që ta marrin seriozisht situatën me pandeminë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në të kundërtën, dështimi i qeverisë do të zbeh besimin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve në sistemin arsimor të vendit tonë në këtë krize pandemie. Duhet që të arrihet një konsensus me të gjitha palët e interesit për ta tejkaluar këtë krizë dhe ministria të jetë konsistente me vendimet që i merr duke i informuar të gjitha palët për përgatitjet sa më herët dhe në mënyrë të duhur”, ka deklaruar ai.