Shala merr pjesë në forumin evropian për rregullimin e shërbimeve ujore
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka bërë me dije se ka marrë pjesë në Forumin e tretë evropian për Rregullimin e Shërbimeve Ujore, i organizuar nga Shoqata Evropiane e Rregullatorëve të Ujit (WAREG), i cili është mbajtur në Bruksel.
Shala ka treguar se në kuadër të këtij forumi është takuar edhe me presidentin e Shoqatës së Rregullatorëve Evropianë të Ujërave.
“Në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, bashkë me ARRU-në, morëm pjesë në Forumin e 3-të Evropian për Rregullimin e Shërbimeve Ujore, i organizuar nga Shoqata Evropiane e Rregullatorëve të Ujit (WAREG), në Bruksel. Forumi Evropian për Rregullimin e Shërbimeve Ujore mbledhë së bashku rregullatorët evropianë, përfaqësuesit e institucioneve evropiane dhe aktorë të tjerë të sektorit evropian të ujit, për të diskutuar mbi temat e neutralitetit klimatik, lidhjen ujë-energji dhe përshtatjen e shërbimeve të ujit. Lidhur me këtë, takova z. Andrea Guerrini, president i Shoqatës së Rregullatorëve Evropianë të Ujërave, me të cilin ndava mendimet e përbashkëta për thellimin e bashkëpunimit në mes të autoriteteve rregullative të ujit! Në këtë frymë, shteti dhe Kuvendi duhet të mbështesë Autoritetin Rregullator të Ujërave – ARRU, ku si kryetar i Komisionit shprehi gatishmërinë për mbështetjen dhe fuqizimin e rregullatorit si domosdoshmëri për një ësistem dhe shërbim cilësorë në sektorin e ujit!”, ka shkruar Shala në “Facebook”.