Shala: Në nëntor Kosova bëhet me ushtri, e votojnë mbi 100 deputetë
Gjatë muajit të ardhshëm (nëntor) do të kompletohet pjesa legjislative për ushtrinë e Kosovës. Kështu ka deklaruar Haxhi Shala, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, duke shtuar se Ligjin për Ushtrinë do ta votojnë mbi 100 deputetë në Kuvend.
Shala shprehet i bindur se edhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës e përkrahin formimin e ushtrisë së vendit nëpërmjet ligjit dhe këtë iniciativë nuk do të mundë ta bllokojë Lista Serbe.
“Lista Serbe nuk mund ta zvarrisë formimin e ushtrisë së Kosovës, sepse ky proces mund të votohet me shumicë të thjeshtë. Janë mbi 100 vota në Kuvend pro ushtrisë së Kosovës”, ka bërë të ditur Shala për “Zërin”.
Ai ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij, Nisma Socialdemokrate, kundër iniciativës së presidentit Thaçi për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë, duke e cilësuar si lojë të rrezikshme të të parit të vendit.
Ndërsa sa i përket iniciativës së opozitës për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, Shala ka thënë se as LDK-ja e as LVV-ja ende nuk i kanë kërkuar votat e tyre për këtë çështje.