MTI-ja dhe Klubi i Prodhueseve arrijnë memorandum bashkëpunimi
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka takuar të enjten drejtorin ekzekutiv të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxhën, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në rritjen e konkurrencës në sektorin e prodhimit, që ndikon drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës.
Në vazhdimësinë e përkrahjes dhe forcimit të prodhuesve vendorë, ministri i MTI-së Endrit Shala nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Klubin e Prodhueseve të Kosovës për të realizuar projekte të përbashkëta që kanë për synim rritjen e konkurrencës në sektorin e prodhimit në Kosovë.
Ministri Shala ka potencuar se forcimi sektorit të prodhimit ndikon drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në përgjithësi në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ky bashkëpunim përfshin shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve, statistikave me të cilat disponojnë palët dhe që nuk paraqesin fshehtësi, që ka të bëjë me projektin e platformës ‘Made in Kosova’ dhe projekte tjera në të ardhmen”, ka thënë ministri Shala.
Ai ka shtuar se ky memorandum parasheh mbështetjen e palëve në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me konkurrencën e kompanive vendore në tregun vendor, rajonal dhe evropian duke mbështetur edhe organizimin e panaireve të përbashkëta për të promovuar bizneset prodhuese dhe produktet “Made in Kosova”.
/Epoka e re/