Shala organizoi pritje solemne për nderë të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut
Në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, u organizua pritja solemne, me mbështetje të Ambasadës Suedeze dhe Norvegjeze si dhe Ambasadores së vullnetit të mirë, Elvana Shala.
Sipas ambasadores Shala, ky organizim kishte për qëllim t’i bëjë bashkë krerët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e margjinalizuara për integrimin sa më të mirë të tyre në shoqëri.“Akoma s’jemi në nivelin e duhur, por mund të them se kemi nivel të kënaqshëm. Ka një vetëdijesim më të madh lidhur me respektimin e të drejtave të grupeve të ndryshme. Gjithashtu, kemi edhe ligje të mira, siç është të jetë Ligji për Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara apo Ligji për Komunitete, megjithatë ka ende shumë punë për t’u bërë”, ka thënë Shala.
Ajo përmendi Avokatin e Popullit si institucioni me kredibil që pa dallim mbron të drejtat e njeriut, përderisa tha se organizime të tilla, si ky sonte, ofrojnë mundësi të shkëmbimit të ideve për respektimin sa më të mirë të të drejtave të njeriut dhe përfshirjen e të gjitha grupeve shoqërore.
Në këtë pritje morën pjesë, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ambasadorë shqiptarë dhe të huaj, si dhe eksponentë të tjerë të vendit. Haradinaj më këtë rast ka thënë se Republika e Kosovës është ndërtuar mbi parimet universale të të Drejtave të Njeriut.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, me siguri të plotë mund të them se Republika e Kosovës është ndërtuar mbi parimet universale të të Drejtave të Njeriut dhe e kemi përgjegjësi që të ndërtojmë shtetin tonë mbi vlerat më sublime të tolerancës. Kemi ende punë për të bërë në zgjidhjen e problemeve ditore në implementim të të drejtave të njeriut, por Kosova është shtet që përmirësohet në vazhdimësi, e çdo përmirësim duhet të ndërtohet mbi bazën e të drejtave universale”, ka shkruar ai.
/Epoka e re/