Shala: Pasojat e Speciales do të shihen më vonë
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka rikthyer diskutimin për Gjykatën Speciale, duke thënë se ajo do të ketë pasoja të këqija për Kosovën.
“Qëndrimet tona kanë qenë të qarta edhe në kohën kur është formuar kjo Gjykatë. Kjo Gjykatë do ta dëmtojë UÇK-në dhe vendin. Krahu i luftës e ka dëmtuar vetveten, sepse e ka votuar këtë Gjykatë. Pasojat e kësaj Gjykate do të shihen më vonë. Janë gjëra që nuk kanë ndodhur, por ne do të gjendemi në ballina të gazetave botërore”, ka thënë ai në një bisedë në “RTK”.
Sa i takon Asociacionit të Komunave Serbe, Shala ka thënë se nëse bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës ai nuk është i rrezikshëm.
“Sot ne e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe edhe Qeveria e Kosovës sot e ka më lehtë. Nëse Asociacioni krijohet në bazë të ligjeve të Kosovës atëherë nuk do ta dëmtonte vendin”, është shprehur Shala.