Shala për subvencionet e qeverisë Kurti: Populliste dhe për përfitim të elektoratit

17 shtator 2023 | 12:56

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i ka vlerësuar si veprime populiste shpërndarjen e parasë publike nga Qeveria Kurti, duke iu referuar vendimit të fundit për subvencionimin e energjisë elektrike.

Shala për “Ekonomia Online” ka thënë se paraja publike duhet të shpenzohet në mënyrë transparente si dhe ka kërkuar që shtim të dinamikës në realizimin e investimeve kapitale.

“Do duhej dhe është koha e fundit që qeveria të reflektojë sa i përket çështjes së menaxhimit të parasë publike dhe po shpresoj dhe besoj që ky vit nuk do duhej që Qeverisë në portofolin e saj t’i zë suficit siç ishte vitin e kaluar me 700 milionë euro. Kërkoj nga qeveria që të jetë shumë më azhure në investime kapitale dhe në dinamiken e realizimit të investimeve kapitale. Po kërkoj që paratë të jenë të shpenzuara jokesh siç po ndanë me anë të paketave por të jenë me transparencë dhe duke përfillur legjislacionin në fuqi. Besoj se qeveria tashmë i ka shifrat krahasuese për disbalancën në mes eksportit dhe importit dhe duhej të kemi një paketë legjislative që ta ndryshojë këtë gjendje ekonomike të vendit”, ka thënë ai.

Më tutje, Shala ka thënë se qeveria po mbijeton për shkak të krizave.

“Definitivisht ne jemi shumë të pakënaqur dhe kemi dhënë shumë herë rekomandime që duhet të ndërpritet kjo praktikë e menaxhimit të parasë publike dhe e buxhetit, megjithatë ne nuk presim që kjo qeveri në këtë relacion tash për tash të ndryshojë. Fatkeqësisht është duke mbijetuar me anë të krizave, fatkeqësisht është duke mbijetuar me anë të hapjes së problematikave diplomatike, krizave të sigurisë apo duke sulmuar mediat apo aferat tjera dhe fatkeqësisht ne kemi shpërfaqje të një keqqeverisje dhe në kuptimin e keqpërdorimit klasik financiar, duke llogaritur rezervat shtetërore, krizën energjetike, aferat tjera korruptive e kështu më radhë”, ka thënë Shala.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), Nexhmije Gori,…