Shala përkujton 21 dëshmorët e njësitit ‘Pëllumbi’ të UÇK-së
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së, Ferat Shala, ka përkujtuar 21 dëshmorët e njësitit “Pëllumbi”, në 22-vjetorin e rënies së tyre.
Shala ka thënë se kompleksi memorial “Pëllumbat e Lirisë” prehen këta dëshmorë është vetëm një nga qindra e mijëra dëshmi anë e kënd Kosovës, që flet për qëndresën dhe luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe popullit të Kosovës për liri.
“Kësaj radhe mungonte në ceremoninë e përkujtimit në vendlindjen e tij ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi që së bashku me themeluesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarë të tjerë po përballen me akuza të padrejta në Gjykatën Speciale në Hagë. Kompleksi memorial ‘Pëllumbat e Lirisë’, në Negrovc, është vetëm një nga qindra e mijëra dëshmi anë e kënd Kosovës, që flet për qëndresën dhe luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe popullit të Kosovës për liri”, ka shkruar Shala në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Shalës:
Me rastin e shënimit të 22 vjetorit të rënies së 21 dëshmorëve të UÇK-së, nga njësiti “Pëllumbi” dhe 36 martirëve të lirisë së kësaj zone, sot në kompleksin memorial “Pëllumbat e Lirisë”, në Negrovc të Drenasit, së bashku me familjarë, bashkëluftëtarë dhe bashkëfshatarë bëmë homazhe dhe vendosëm kurora lulesh në shenjë përkujtimi dhe nderimi të rënies dhe kontributit të tyre për liri.
Kësaj radhe mungonte në ceremoninë e përkujtimit në vendlindjen e tij ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi që së bashku me themeluesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarë të tjerë po përballen me akuza të padrejta në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kompleksi memorial “Pëllumbat e Lirisë”, në Negrovc, është vetëm një nga qindra e mijëra dëshmi anë e kënd Kosovës, që flet për qëndresën dhe luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe popullit të Kosovës për liri.
Heroizmi dhe rënia në altarin e lirisë e dëshmorëve të njësitit “Pëllumbi”, tregon për atdhedashurinë dhe guximin e djemve të zgjedhur të UÇK-së, në mbrojtje të popullatës së kësaj zone, ndërsa martirët e rënë janë dëshmi për krimet e forcave ushtarako-policore serbe mbi popullatën e pafajshme të kësaj ane.
Sot kur përkujtojmë të rënët dhe martirët, kujtojmë edhe lavdinë, krenarinë, qëndresën dhe sakrificën e dëshmorëve dhe të popullit liridashës të kësaj ane që i dhanë kuptimin e vërtetë lirisë që gëzojmë sot.
Përkujtimi dhe respekti për dëshmorët dhe martirët do të mbetet i përjetshëm në zemrat tona dhe në kujtesën e krenarisë sonë kombëtare.
Përulemi para veprës së tyre duke mos harruar amanetin dhe idealin për të cilin derdhën gjakun.