Shala: Përveç konferencave për media nuk kam parë diçka tjetër nga kjo qeveri
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka pasur asnjë veprim në të mirë të qytetarëve.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti do të mbahet mend si qeveri e konferencave për media.
“Përveç konferencave për media nuk kam parë diçka tjetër”, ka thënë Shala në “Speciale” në “Klan Kosova”.
Shala ka thënë se LV-ja e pati shansin që ta tregojë veten në qeverisje, por sipas tij, u tregua e paguximshme në marrjen e vendime që e prisnin vendin.
Ai ka shtuar se LV-ja nuk u tregua korrekte as në raport me partnerin e saj LDK-në.
Deputeti Shala ka thënë se LV-ja i mbushi bordet e ndërmarrjeve publike me militantë të saj partiakë, ndryshe nga siç deklarohej para se ta merrte pushtetin.
Ai ka theksuar se Nisma Socialdemokrate nuk u frikësohet zgjedhjeve të reja, por ka përkrahur formimin e një qeverie të re nga Kuvendi e cila do të përbehej nga LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet.