Shala: Posti i presidentit për Isa Mustafën është betejë jetësore

02 dhjetor 2019 | 13:43

Analisti politik Behxhet Shala ka deklaruar se në marrëveshje për bashkëqeverisje në mes të LV-së dhe LDK-së do të përfshihet edhe çështja e presidenti të ardhshëm.

Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Shala ka bërë me dije se për liderin e LDK-së, Isa Mustafa, posti i presidentin është një betejë jetësore. “Edhe nëse nuk dalin me një deklaratë të përbashkët se janë marrë vesh për presidentin e ardhshëm, jam i bindur se ata janë marrë vesh mes vete për këtë çështje, sepse LDK-ja e ka kusht këtë çështje. Madje kjo parti më kusht e ka postin e presidentit sesa postin e kryetarit të Kuvendit. Për LDK-në, përkatësisht për Isa Mustafën, posti i presidentit është një betejë jetësore”, ka deklaruar Shala.

Sipas tij, LV-ja është e detyruar të pranoj këtë kusht të LDK-së. “Me dëshirë LV-ja nuk do t’ia jepte postin e presidentit LDK-së mirëpo, meqenëse pa LDK-në nuk do të mund ta formojë qeverinë, kurse me këta të tjerët nuk dëshiron ta formojë, atëherë duhet të pajtohet. Pra, edhe nëse nuk dalin publikisht të thonë se janë pajtuar për postin e presidentit, besoj se janë marrë vesh edhe për këtë çështje”, është shprehur ai.

Marrëveshja për bashkëqeverisje mes të LV-së dhe LDK-së pritet të nënshkruhet sot.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir…