Shala: Prioritet i imi, produktet ndërtimore të jenë sipas standardeve të BE-së
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Projektligjit për produktet e ndërtimit.
Shala ka thënë se si ministër do të angazhohet për krijimin e një bazë të përshtatshme me legjislacionin e BE-së duke siguruar që produktet ndërtimore të jenë me standarde dhe të sigurta.
Postimi i plotë i Shalës:
Të nderuar qytetarë,
Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi projektligjin për Produktet e Ndërtimit, që është edhe një hap drejt harmonizimit të ligjeve me ato të Bashkimit Evropian. Ky projektligj do të shërbej në disa dimensione, e më kryesorja është që do të vendosen rregulla dhe shënjimi i produkteve të ndërtimit do të bëhet me CE, ashtu siç janë në vendet e Bashkimit Evropian.
Për shkak të sigurisë ndaj qytetarëve, para se të vendosen në treg, produktet e ndërtimit duhet t’i plotësojnë kërkesat siç janë: rezistencat mekanike, qëndrueshmëria, siguria në rast zjarri, higjiena, shëndeti dhe mjedisi, siguria në përdorim, mbrojtja nga zhurma, efiçienca e energjisë dhe ruajtja e nxehtësisë si dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.
Prioritet i imi gjatë mandatit në krye të MTI-së është krijimi i një bazë të përshtatshme me legjislacionin e BE-së duke siguruar që produktet ndërtimore të jenë me standarde dhe të sigurta, duke pasur në rend të parë kujdesin ndaj konsumatorëve. Falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që votuan pro këtij projektligji.
/Epoka e re/
https://www.facebook.com/OfficialEndritShala/photos/a.741827289512420/747802878914861/?type=3&theater