Shala: Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri do të jetë gjithëpërfshirës

25 tetor 2018 | 10:47

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haxhi Shala, ka ftuar të gjithë të interesuarit që ta japin kontributin e tyre për pakon e ligjeve që ndërlidhen për transformimin e FSK-së në ushtri.

Shala nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, ka thënë se pakoja ligjore për transformimin e FSK-së e cila ka kaluar në lexim të parë është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Ai ka thënë se ky proces do të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.

Postimi i plotë i Shalës:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Aktualisht në Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, është në procedurën e shqyrtimit dhe amendamentimit të tri projektligjeve të FSK-së. Si kryetar i Komisionit, dua të konfirmoj zotimin se ky proces do të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe duke respektuar plotësisht procedurat e parapara me Kushtetutë dhe Rregulloren e Punës se Kuvendit për shqyrtimin dhe miratimin e Ligjeve.

Forca e Sigurisë se Kosovës është institucionin kushtetutës që mbron qytetaret e saj dhe komunitetet e Republikës se Kosovës dhe kjo pako e re ligjore vetëm avancon misionin e kësaj force në mbrojtën e qytetareve dhe sovranitetit të Kosovës. FSK-ja edhe sot është ushtri e Kosovës, pavarësisht emrit dhe pavarësisht misionit të kufizuar që ka pasur në fillimet e saj, sepse nëse nuk është organizatë ushtarake, çfarë organizate tjetër mund të jetë FSK-ja.

Kushtetuta e Kosovës, mes tjerash e përcakton se Presidenti i Kosovës është komandanti i Përgjithshëm i FSK. Nëse nuk është organizatë ushtarake , si mund presidenti të jetë Komandanti i Përgjithshëm e një organizatë jo ushtarake.

Pakoja e re ligjore, është plotësisht në pajtim me Kushtetutën dhe ne ftojmë të gjithë të interesuarit, qytetarë, akademik, media, shoqëri civile, grupe të ndryshme të japin kontributin e tyre gjatë shqyrtimit të kësaj pakoje ligjore dhe të jenë pjesëmarrës aktiv në këtë proces.

Me nderime,

Haxhi Shala

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=983990935120348&set=a.261889063997209&type=3&theater

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka refuzuar të zhvilloj vizitën…