Shala: Qeveria Kurti e ka thyer rekordin e shpenzimeve të luksit
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka kritikuar qeverinë Kurti për rritjen e shpenzimeve të udhëtimeve. Shala ka thënë se “fatura” e pushtetit në luksin qeveritar ka thyer rekordin e të gjitha qeverive të tjera.
Shifrën për gjashtëmujorin e këtij viti, prej 5.25 milionë euro, të harxhuar për shpenzime, Shala e ka cilësuar si shumë të lartë. “Janë shpenzime shumë të larta. Kostoja e qeverisë në luksin institucional është e lartë si asnjëherë tjetër dhe është rekord i të gjitha qeverive në Kosovë”, ka deklaruar Shala për “FrontOnline”.
Shala ka thënë se qeveria Kurti ka demantuar premtimet e veta me statistikat e shpenzimeve të udhëtimeve. “Qeveria në kohën e ardhjes në pushtet kishte premtuar reforma të mëdha, zvogëlim të shpenzimeve, zvogëlim në minimum të udhëtimeve zyrtare, të veturave dhe pjesëve të tjera të luksit qeveritar, por fatkeqësisht të gjitha këto janë të demantuara nga vetë qeveria dhe statistikat”, ka deklaruar Shala.