Shala: Secili që e veshë fanellën dardane e jep maksimumin
Mesfushori i spikatur i Kombëtares së Kosovës, Herolind Shala do t’i mungojë shokëve të tij dardanë në tri ndeshjet e këtij muaji.
Arsyeja e mungesës së tij qëndron tek fakti se në mesin e të prekurve me koronavirusin Covid-19 është edhe Herolindi. Ai tash e disa ditë është i prekur nga ky virus, por dita-ditës po e rimerr veten. Në një bisedë për faqen zyrtare të FFK-së, Herolindi ka folur për skuadrën e tij të re, Stabaek, por edhe për infektimin me koronavirus si dhe për pritjet e tij për ndeshjet e këtij muaji, veçmas për duelet kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” kundër dy kombëtareve gjigante, Suedisë dhe Spanjës.
”Ka disa ditë që jam prekur nga Covidi-19. Ditët e para kanë qenë goxha të vështira, ngase kam pasur temperaturë dhe ethe, derisa tash jam më mirë dhe besoj që për pak ditë do ta tejkaloj edhe këtë sfidë. Falënderoj edhe stafin e Kombëtares dhe presidentin Ademi që vazhdimisht më kanë telefonuar dhe janë interesuar për shëndetin tim, ashtu sikurse edhe bashkëlojtarët. Më vjen keq që kësaj radhe nuk do të jem afër tyre për t’i ndihmuar, por ja që ndodhi që të prekem me virus pikërisht para këtij grumbullimi të Kombëtares”, ka thënë Herolind Shala.
Ai në fillim të këtij muaji u transferua te skuadra norvegjeze, Stabaek, por përhapja e madhe e koronavirusit ka ndikuar edhe në vetë punën e klubit.
“Kam nënshkruar kontratë njëvjeçare me klubin Stabaek, i cili ka objektiva të mëdha për të siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane. Por, fati deshi që tani i gjithë ekipi është në karantinë apo thënë më mirë në izolim total. Po ashtu, edhe autoritetet e vendit kanë vendosur masa më të rrepta anti-Covid dhe si rrjedhojë edhe kampionati është shtyrë deri më 2 maj”, ka treguar Herolindi.
Pa marrë parasysh mungesën e tij në Kombëtare, ai beson se secili lojtar që e veshë fanellën e Dardanëve e meriton atë dhe e jep maksimumin. “Në ekipin kombëtar të Kosovës jemi si familje – kur mungon një lojtar është tjetri që e zëvendëson me dinjitet. Normalisht që ndjehem keq që nuk do të jem aty për ta ndihmuar ekipin, por e di që të gjithë do të japin gjithçka nga vetja dhe secili që e veshë fanellën dardane ndjehet krenar”, ka nënvizuar Shala.
Duke folur për dy ndeshjet kualifikuese kundër Suedisë dhe Spanjës, Herolindi shprehet optimistë për rezultate pozitive. “Jam i vetëdijshëm se kemi përballë dy kombëtare të mëdha, por mund t’i dalim. Suedinë e njoh shumë mirë dhe ka cilësi të mëdha, por mund ta befasojmë. Do të ishte ndjenjë e shkëlqyeshme sikur ta nisim këtë fushatë kualifikuese me 3 pikë. Prania e Zlatan Ibrahimovicit te Suedia? Varet në çfarë dite është. Nëse është në ditën e tij më të mirë, atëherë pa dyshim se do të ketë më shumë telashe reparti ynë i mbrojtjes, por mund të jetë edhe përparësi për ne, ngase me praninë e tij në fushë loja e suedezëve mund të përqendrohet krejtësisht tek ai dhe kjo do t’i jepte më shumë mundësi ekipit tonë. Ndërkaq, përballja me Spanjën do të jetë edhe më e vështirë, por mendoj se kemi shumë cilësi në ekip për të befasuar edhe kombëtare të tilla dhe këtë e kemi dëshmuar në të kaluarën. Unë kam besim te bashkëlojtarët e mi dhe u jap kurajë që të japin më të mirën e tyre”, ka përfunduar Herolind Shala.