‘Solar Kosova 2020’ dhe ‘KelKos-Energy Peja’ do të investojnë 225 milionë euro në Kosovë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka bërë me dije se edhe dy investitorë strategjikë i kanë përmbushur kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional të cilin e themeluan të martën me vendim të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike.
Ai ka thënë se subjektet aplikuese “Solar Kosova 2020” dhe “KelKos-Energy Peja SH.P.K” planifikojnë të investojnë në Kosovë 225 milionë euro.
“Solar Kosova 2020 planifikon investimin e 128 milionë eurove në Komunën e Obiliqit dhe KelKos-Energy Peja SH.P.K 97 milionë në Komunën e Pejës. Të dyja këto projekte në energji alternative. Falë ndryshimeve të bëra në aktet nënligjore të Ligjit për Investime Strategjike, Kosova gradualisht po kthehet në vend atraktiv për investitorët e huaj”, ka thënë Shala.
Ai ka theksuar se këto dy investime që janë në procedurë e sipër dhe investimi i “SOWI Kosovo” L.L.C kapin vlerën e 394 milionë eurove, dhe janë investimet e huaja më të mëdha direkte në Republikën e Kosovës.
/Epoka e re/