Shala takohet me Jahir Demakun, vlerëson lartë kontributin e familjes së tij për liri
Kandidati i PDK-së për deputet, Ferat Shala, është takuar me Jahir Demakun, njërin nga luftëtarët me të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Me këtë rast, Shala ka theksuar se familja Demaku tashmë kanë shkruar njërën nga faqet më të ndritshme të historisë së Kosovës.
“Një shtrëngim duarsh me Jahir Demakun, njeriun që kurrë nuk u dha para sprovave të shumta të jetës. Tregimi për Jahirin dhe për vëllezërit e tij, është më shumë se një histori. Me luftën dhe sakrificat e tyre Vëllezërit Demaku tashmë e kanë shkruar njërën nga faqet më të ndritshme të historisë së Kosovës”.
“Familja Demaku, si një nga të paktat e Kosovës, dha shumë luftëtarë për lirinë, për pavarësinë dhe për shtetndërtimin; në luftë dha dëshmorë, ushtarë dhe komandantë të zotë – në paqe liderë të pashoqë. Në anën tjetër, për ironinë e fatit, më shumë se vëllezërit Demaku askush nuk i pagoi padrejtësitë dhe absurditetet e pasluftës. Edhe pse dhanë shumë për lirinë, ajo për ta shpeshherë ka qenë e hidhur. Por, burgu i padrejtë ndaj vëllezërve të tij, Fadilit dhe Nexhatit, si dhe i katër vëllezërve Demaj, Jahir Demakut veçse ia shton krenarinë dhe mburrjen, sepse ai mbetet deri në fund një shpirt luftëtari”, ka shkruar Shala në llogarinë e vet në “Facebook”.