Shala takohet me oficerin britanik, evokuan kujtime për luftën e UÇK-së dhe çlirimin e Kosovës
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka pritur në takim Paul Gibson, oficer komandues i Batalionit të Parë të Regjimentit të Parashutistëve, trupat e para britanike që kanë hyrë në Kosovë më 12 qershor të vitit 1999.
Shala ka thënë se me Gibsonin kanë kujtuar “momente të lavdishme kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nga Gryka e Llapushnikut dhe forcat britanike nga Gryka e Kaçanikut u drejtuan në Prishtinë, për të çliruar përfundimisht Kosovën”.
“Kisha kënaqësinë që sot, pas 25 vitesh, të mirëpres në takim brigadier Paul Gibson, oficer komandues i Batalionit të Parë të Regjimentit të Parashutistëve, trupat e para britanike që hynë në Kosovë më 12 qershor 1999. Sot, në rrethana krejt ndryshe nga atëherë, në pozicione të ndryshme nga ato ushtaraket që kishim, evokuam kujtime për sukseset e arritura bashkë para 25 vitesh. Kujtuam momentet e lavdishme kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga Gryka e Llapushnikut dhe Forcat Britanike nga Gryka e Kaçanikut, u drejtuan në Prishtinë, për të çliruar përfundimisht Kosovën. Ky takim na riktheu kujtimet dhe emocionet e atyre ditëve të rëndësishme për vendin tonë. Mirënjohje të përjetshme për bashkëpunimin dhe miqësinë tonë të çmuar!”, ka shkruar Shala në “Facebook”.