Shala takon ambasadorin e Katarit, diskutojnë për investimet në Kosovë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur sot në takim ambasadorin e Katarit në Tiranë, jorezident në Republikën e Kosovë, Ali Bin Hamad Al Marri, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit dhe për nisjen e një kapitulli të ri ekonomik në mes Kosovës dhe Katarit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Shala ka shkruar se diplomatin nga Katari e ka njoftuar me kushtet që i ofron Kosova në fushën e investimeve të huaja. “Ishte kënaqësi ta prisja sot në zyrën time ambasadorin e Katarit në Tiranë, jo-rezident në Republikën e Kosovë, z.Ali Bin Hamad Al Marri. Me ambasadorin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit dhe për nisjen e një kapitulli të ri ekonomik në mes Kosovës dhe Katarit. Ambasadori ishte i impresionuar me zhvillimin e Kosovës, duke theksuar se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështes Republikën e Kosovës. z. Al Marri e njoftova me kushtet që i ofron Kosova në fushën e investimeve të huaja dhe ja shpjegova Ligjin për Investime Strategjike, duke e garantuar se çdo investitor potencial që synon të investojë në Kosovë, do të trajtohet më këtë ligj që ofron lehtësira të jashtëzakonshme”, ka shkruar Shala.
/Epoka e re/