Shala tregon se kujt duhet t’i jepet posti i presidentit
Këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Blerim Shala, në emisionin Pressing të T7 ka thënë se posti i presidentit të ri të Kosovës duhet t’i jepet dikujt që ka përvojë politike në diplomaci. “Presidenti në Kosovë ka shumë kompetenca dhe nuk duhet t’i jepet ai post dikujt që nuk ka përvojë politike në diplomaci. Gjithashtu, nuk duhet t’i jepet dikujt që ka mbetur pa punë”, është shprehur Shala.
Kujtojmë se presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjedhet në shkurtin e vitit të ardhshëm, ndërkohë që presidenti aktual, Hashim Thaçi, duhet ta dorëzojë mandatin në prillin e vitit të ardhshëm.
Shala, gjithashtu, foli edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe për takimin e liderëve Hoti e Vuciq në Shtëpinë e Bardhë, më 2 shtator.
“Statusi i Kosovës nuk është temë e dialogut”, ka thënë Shala.
Më tutje, ai tha se as i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, nuk ka menduar se gjithçka do të rregullohet me një takim në Shtëpinë e Bardhë. “As Grenell nuk ka menduar se gjithçka do të arrihet me një takim në Shtëpinë e Bardhë, ideja e tij ka qenë që të punohet në rrafshin ekonomik në mënyrë që Kosova dhe Serbia të afrohen në mes veti”, ka shtuar Shala.