Shala: Vendimi i qeverisë për polisat kufitare, politik dhe për ta ruajtur votën
Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, ka thënë se vendimi për lirimin e polisave kufitare për bashkatdhetarët është i natyrës së poenëve politikë.
Sipas tij, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut, por karshi këtij vendimi të qeverisë do të duhej të ketë lehtësira edhe për qytetarët e Kosovës.
“Edhe ne planin parazgjedhor, por edhe në plan të qeverisë, ishte paraparë që bashkatdhetarëve t’ua paguajmë polisat e sigurimit dhe ata mos të bëjnë shpenzime, pasi ishte ndër premtimet kryesore me anë të së cilës i ka fituar shumë vota nga diaspora. Prandaj është dashur që këto mjete të merren nga buxheti i Kosovës. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut pasi nuk po e diskriminon dikë për ta favorizuar dikë. Qeveria e ka mbajtur këtë premtim. Polisa për bashkatdhetarët është e panevojshme, mirëpo kompanitë e sigurimeve janë ankuar që bashkatdhetarët po u shkaktojnë dëme për shkak të numrit të lartë të aksidenteve. Është dashur që të ketë një respektim edhe për qytetarët brenda Kosovës, pasi janë shtrenjtuar sigurimet për 30 për qind. Ata që vijnë nga jashtë janë të liruar dhe kjo është më tepër potez politik dhe elektoral, pasi afër janë zgjedhjet lokale dhe është përpjeke për ta ruajtur votën”, ka thënë Shala për gazetën “Epoka e re”.
.Ai për të hequr në tërësi polisën kufitare ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë një amnisti për numrin e makinave të paregjistruara dhe të kërkojë nga një shtet që të aplikojë në emër të Kosovës për anëtarësim në “Kartonin e Gjelbër”.
“Qeveria Kurti ka kërkuar që të hiqet polisa e sigurimeve. Më parë e kishin potencuar për qytetarët e Luginës së Preshevës dhe më vonë doli premtimi edhe për diasporën pasi u rreshtua në anën e Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk është problem Qeveria e Kosovës ta shpallë një amnisti për veturat e paregjistruara dhe ndër shkaqet që nuk futemi në ‘Karton të Gjelbër’ është numri i lartë i automjeteve të paregjistruar dhe ta gjëje një shtet që aplikon në emër të Kosovës pasi kjo çështje është më shumë e natyrës politike”, është shprehur Shala.