Shala viziton veteranët e UÇK-së në Drenas: Do ta ndërtojmë të ardhmen që nderon sakrificat e çlirimtarëve
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, i shoqëruar nga Fadil Demaku dhe Petrit Hajdari kanë vizituar të martën Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Shala ka thënë se “do të vazhdojmë të përkrahim njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë një të ardhme që nderon sakrificën dhe pasuron brezat e ardhshëm me krenarinë dhe trashëgiminë e UÇK-së”.
“Sot, bashkë me Fadilin dhe Petritin, vizituam bashkëluftëtarët në Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së në Drenas, patëm kënaqësinë t’ju urojmë për përfundimin e zgjedhjeve dhe për formimin e strukturave të reja. Këto zgjedhje janë dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm për t’i mbajtur gjallë vlerat dhe idealet për të cilat kemi luftuar, duke ruajtur gjithashtu unitetin dhe forcën që e kanë karakterizuar gjithmonë këtë shoqatë. Nëpërmjet bashkëpunimit dhe përkushtimit të ndërsjellë, do të vazhdojmë të përkrahim njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë një të ardhme që nderon sakrificën dhe pasuron brezat e ardhshëm me krenarinë dhe trashëgiminë e UÇK-së”, ka shkruar Shala në “Facebook”.