Shansi për ta larguar përfundimisht Rusinë nga Ballkani
Shkruan: MSC. Ramadan Baraliu
Kujt i kishte shkuar ndër mend se në Xhaminë e “Sinan Pashës” në Prizren për 20 vjet ka shërbyer një imam rus?! Kazimir Olenko për dy dekada të paktën çdo xhuma ka mbajtur ligjërata politike e fetare para xhematit – besimtarëve myslimanë që kanë falur namazin. Spiuni rus Olenko paraqitej si mulla Adnani. Këtë na ka rikujtuar autori Ibrahim Kadriu në librin e vet “Misioni rus”. Ai argumenton se rusët janë paraqitur si hoxhallarë, mësues, ushtarakë e njerëz që u takojnë agjencive të punësimit dhe qëllimi i misionarëve të tillë ishte që t’i ofronin shqiptarët myslimanë më shumë me serbët dhe t’i largonin nga katolikët dhe bënin serbizimin e ortodoksëve shqiptarë të kësaj ane, duke spikatur faktin se si çuditërisht nuk ka ortodoks shqiptar në Kosovë, edhe pse kjo trevë një kohë shumë të gjatë ishte e pushtuar nga Bizanti. Shteti serb në përmasat aktuale në Ballkan është projekt rus. “Më i forti bën atë që mundet, ndërsa më i dobëti vuan atë që duhet”, ishte përgjigjja e athinasve drejtuar ishullit të Melosit, gjatë Luftës së Peloponezit, pasi që ata arsyetoheshin se po luftojnë për lirinë e tyre. “Mund të luftoni dhe të vdisni ose të dorëzoheni”.
Kjo ishte historikisht edhe qasja e Serbisë ndaj shqiptarëve që nga dyndjet sllave, e vazhduar me dëbimin e rreth 200 mijë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-1878, terrori i ushtruar mbi shqiptarët gjatë shekullit XX që kulmoi me gjenocidin e ushtruar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo është thika e famshme e Thukididit, që në marrëdhëniet ndërkombëtare njihet si “Bandwagoning”. Kjo dhe ndodh kur shtetet më të dobëta vendosin se kostoja e kundërshtimit të një fuqie më të fortë i tejkalon përfitimet. Fuqia më e fortë mund të ofrojë stimuj, siç është mundësia e fitimit territorial, marrëveshjet tregtare ose mbrojtja, për t’i mbajtur shtetet më të dobëta. Kjo ka qenë qasja e Serbisë ndaj Kosovës që është pranuar nga komunistët dhe nga pacifistët më vonë, por asnjëherë nga populli i Kosovës.
Serbia e ka luajtur rolin e të fortit në raport me shqiptarët derisa UÇK-ja ia ktheu pushkën dhe NATO-ja e detyroi përfundimisht ta shpallë kapitullimin dhe t’i tërheqë forcat ushtarako-policore dhe paramilitare nga Kosova. Kosova dhe shqiptarët për herë të parë gjenden në anën e të fortit, në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, të cilët ishin sponsorët kryesorë të Pavarësisë së Kosovës. Realisht, mungesa e fuqisë për t’u çliruar vetë na ka bërë, kushtimisht, që të vazhdojmë të jemi në një situatë “Bandwagoning” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet kryesore evropiane dhe NATO-n. Kjo aleancë duhet të thellohet dhe zgjerohet.
Kosova është lufta e Perëndimit me Rusinë!?
Në arsyetimin se pse Rusia e ka aneksuar Krimen, Putini hedhë paralele duke bërë pyetje për të drejtën e shqiptarëve për ta shpallë pavarësinë, me vullnetin e qytetarëve të Krimesë të shprehur në referendum për t’iu bashkangjitur Rusisë. “Is this not democracy? What is it then? And then what is democracy?” (Nuk është demokraci kjo? Çfarë është atëherë? Dhe, atëherë çka është demokracia?) pyet Putini, në një intervistë me ORF të Austrisë, duke sfiduar kështu liberaldemokracitë perëndimore rreth qëndrimeve të tyre pro të drejtës së kosovarëve për shtetin e tyre. Këtu Putini bën të qartë se këtë akt e ka bërë për t’i dhënë përgjigje politikës amerikane në favor të çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë dhe përpjekjeve për përmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Me të drejtë hedhet paralele mes veprimeve të Athinës 2500 vjet më parë në Luftën e Peloponezit dhe të Serbisë në fund të shekullit XX (Nye, Joseph S., and David A. Welch. 2013. Understanding global conflict and cooperation: an introduction to theory and history. Upper Saddle River, N.J.: Pearson.)
Duke lexuar Nyen, të shfaqet Ballkani dhe mjegulla shekullore që nuk po i ndahet, të shkaktuar nga sllavët dhe osmanlinjtë. Rolin kryesor e ka politika ruse e ndërthurur që nga marrëveshja e vitit 1792 në mes të Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, ku rusët fituan të drejtën për t’u kujdesur për krishterët nën Perandorinë Osmane. Rusët nuk dërguan klerikë, por ushtarakë të maskuar dhe kësisoj përvetësuan dhe sllavizuan manastiret shqiptare në Kosovë dhe gjetiu. Të gjitha ato sot janë shpallur si trashëgimi serbe.
Te shtetet “Në kohën kur po jetojmë nuk ka më artikulime të hapura të motiveve”, spikatet në këtë libër.
Duhet të vihen në pikëpyetje nëse kanë ndryshuar motivet e Serbisë në raport me Kosovën dhe shqiptarët. Historikisht motivi i tyre nuk ka ndryshuar vetëm se kanë ndryshuar mjetet në bazë të rrethanave. Për më tepër, Serbia vazhdon të jetë objektivi kryesor në Evropë i aktiviteteve kundër Perëndimit të Moskës për shkak të lidhjeve të thella historike mes tyre, ndërsa Ballkani vazhdimisht shihet si një fushëbetejë në “luftën” për shtrirjen e ndikimit. Në këtë kuadër Rusia do të bëjë çmos që ta pengojë integrimin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE ose në rastin më të mirë, ta zgjasë këtë rrugëtim pafundësisht.
Slobo 2.0
Ndërkaq, në diskursin aktual të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, gjen të maskuar me moralizime, vazhdimësinë e politikës serbe e ruse ndaj shqiptarëve. Në qëndrimet e tij ai është mjaft kontrovers. Pak ditë më vonë e lexon një deklaratë të tij se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë dhe Rusinë në lojë, nuk mund të ketë marrëveshje me shqiptarët. Pra, këtu hyn në lojë edhe Rusia?! Shtrohet dilema me vend, se a ka ndërruar me të vërtetë politika e Beogradit, apo thjesht është taktikë e Serbisë për të realizuar atë që e ka humbur me luftë Millosheviqi në vitin 1999. Thjesht, Vuçiqi u zotua se është duke e vazhduar me mjete të tjera ëndrrën e Milloshoviqit. Nëse Vuçiqi po bën sikur ka ndërruar, shtrohet pyetja a ka ndërruar qëndrimi dhe diskursi i Rusisë ndaj Kosovës? Kjo nuk lë hapësirë për të menduar. Retorika dhe moralizimi i vetëzhveshur i Vuçiqit gjatë vizitës në zonat veriore të Kosovës vë në pah motivet reale historike që ka Serbia ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Po ashtu, nuk duket se ka ndryshuar diskursi i Rusisë në raport me Ballkanin. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, në fjalimin e vet gjatë punimeve të sesionit vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, tha se Rusia “do të mbështeste një zgjidhje të mosmarrëveshjes së Serbisë me Kosovën që do t’i përshtatet Beogradit”.
Fatkeqësisht, situata në Ballkan ende lë përshtypjen se gjendja hobsiane nuk ka përfunduar në këtë gadishull për shkak të politikës ruse dhe serbe.
“Por si moti i stuhisë nuk do të thotë se shiu do të bjerë përherë, edhe në një gjendje lufte nuk nënkupton luftë të përhershme”, thotë Tomas Hobsi.
Se kjo gjendje duhet të përfundojë njëherë e mirë, nuk do koment. Mirëpo, sa kanë disponim Serbia dhe Rusia që kjo të ndodhë, mbetet për t’u parë. Ndërkaq qëndrimi i Gjermanisë kundër idesë për korrigjimin e kufijve në funksion të arritjes së një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e mbështetur nga ShBA-ja dhe shërbimi i jashtëm i BE-së, i konvenon Serbisë, pasi që gjermania është investitore shumë e madhe në Serbi dhe shkon në funksion të mbetjes së Kosovës konflikt i ngrirë që i konvenon edhe Rusisë.
Përderisa aktualisht Kosova ka miq ShBA-në dhe mbështetet nga shtetet kryesore nuk është e detyruar t’i nënshtrohet Serbisë që të bëjë ende kompromise në dëm të shtetësisë së Kosovës, sovranitetit dhe integritetit territorial. Kosova nuk është në një situatë “Bandwagoning” me Serbinë.
Që t’i besojmë Serbisë se ka ndryshuar, duhet ta njohë Pavarësinë e Kosovës, duhet të kërkojë falje publike për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve, duhet t’i paguajë dëmet e luftës dhe, së bashku me Rusinë, nuk duhet ta pengojnë Kosovën në përpjekjet për ta përmbyllur subjektivitetin ndërkombëtar. Pasi të kryhen të gjitha këto, mund të ulen palët dhe të diskutohet për çështje të vullnetit të dyanshëm, si të barabartë në tavolinë.
Ndërsa që kjo të përshpejtohet duhet të vlejë kushti për Serbinë, se nuk ka integrim në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës dhe në këtë kuadër Perëndimi duhet t’i bëjë trysni Serbisë që të zgjedhë mes BE-së dhe Rusisë. Nëse sinjalet janë të qarta, se nuk mund të përmbyllet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës për shkak të politikës ruse e serbe, askush nuk mund dhe nuk ka të drejtë ta ndalë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Të tjerat opsione mund të jenë eksperimente që nuk i dimë rezultatet dhe nëse do të jenë pozitive, do të jetë një mrekulli! Por, Kosova po rrezikon të mbetet shtet virtual në mendje të njerëzve, a në esencë diçka e veçantë që nuk njeh historia rast të tillë, dhe konflikt i ngrirë që do të shpërthejë një ditë. Me gjithë nënshtrimin e popujve të vegjël, Athina e ka humbur luftën kundër Spartës 2500 vjet më parë, ndërsa Serbia e ka humbur luftën për Kosovën para 19 vjetëve! S’ka kthim prapa! Shtet, anëtar i OKB-së e BE-së ose bashkim me Shqipërinë. Natyrshëm!
(Autori punon në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Opinionet në këtë tekst janë personale)