Shaqiri: Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të punojmë shumë

07 shkurt 2025 | 15:21

Baseli e fitoi me vështirësi ndaj Luzernit (2-1), ndeshje e cila i takoi xhiros së 22-të të elitës së futbollit të Zvicrës. Sfida u vendos nga dy penallti për të cilat u fol shumë, por të cilat u realizuan për mrekulli nga Xherdan Shaqiri.

Pas 34 sekondave lojë, Baseli ishte në disavantazh 1:0, por golat nga Shaqiri në minutën e katërt dhe të 57-të, ia siguruan pikët e plota Baselit. Baseli ka 40 pikë në vendin e parë, dy më shumë se Lugano dhe katër më shumë se Luzerni i vendit të tretë. Shaqiri tani është i përfshirë në 22 gola të realizuar për Baselin duke realizuar 10 dhe duke asistuar në 12 të tjerë në 20 paraqitje.

“Mendoj se e kemi merituar fitoren. Luajtën dy ekipe shumë të mira. Luzerni po ashtu i dëshironte pikët e plota, por në fund ne fituam me meritë. Më së shumti jam krenar për fitoren. Në fund të fundit, është gjëja më e rëndësishme në futboll”, ka deklaruar Shaqiri. Shaqiri nuk shqetësohet shumë për statistikat personale. Për të e rëndësishme është që Baseli të jetë i suksesshëm. Por, titullin e 21-të të Baselit, kapiteni i skuadrës e sheh ende larg.

“Ka qenë e rëndësishme të krijojmë një bazë. Tani jemi në krye të tabelës dhe kemi pak pikë më shumë ndaj skuadrave tjera. Kjo na jep motivim për ndeshjet e ardhshme. Por kemi shumë ndeshje para. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të punojmë shumë”, deklaroi Shaqiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës…