Shaqiri flet për ndeshjen ndaj Crvena Zvezdas
Kur shorti i Ligës së Kampionëve përplasi në të njëjtin grup Liverpoolin dhe Crvena Zvezdan, u përfol shumë për vizitën e Xherdan Shaqirit në Beograd.
Tifozët serbë e shtuan dozën e urrejtjes ndaj mesfushorit nga Gjilani pas festës me shqiponjë që bëri në ndeshjen Zvicër-Serbi në Botëror. 27- vjeçari u gjobit nga FIFA së bashku me Granit Xhakën dhe tani përgatitet për t’i përjetuar emocionet e një tjetër sfide kundër skuadrës serbe në “Anfield” dhe pas dy javësh në “ferrin” e kryeqytetit serb.
Pas hedhjes së shortit, drejtori i përgjithshëm i Crvena Zvezdas, Zvezdan Terziq, ka thënë se Shaqirin e pret një presion i jashtëzakonshëm psikologjik kur të luhet në “Marakana”. Por, futbollisti është përpjekur gjithnjë që t’i zbusë notat e tensionit politik përpara ndeshjes. I pyetur nga “Liverpool Echo” nëse do të jetë i shqetësuar se do të jetë një shënjestër e tifozëve serbë, Shaqiri,është përgjigjur: “Jo, aspak. Është thjesht një ndeshje normale dhe unë do ta trajtoj atë si të tillë. Sigurisht që mund të ketë disa tifozë që do të më vërshëllejnë. Por, unë do ta trajtoj si të ishte një takim normal. Në fund është vetëm një ndeshje futbolli. Është një ndeshje e rëndësishme dhe ne duam të fitojmë. Sporti nuk është politikë”.