Shaqiri: Konkurrenca na bën mirë ne lojtarëve
Xherdan Shaqiri është i bindur se Liverpooli do ta vazhdojë performancën pozitive duke qëndruar në krye të renditjes në këtë fillim sezoni, e kjo duke filluar nga sfida e së shtunës me Tottenhamin.
Gjithsesi, ata po përgatiten për një “sulm” të fortë, pasi do të zhvillojnë 7 ndeshje në 23 ditë, duke përfshirë dy me Chelsean dhe ndeshjet e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së dhe Napolit. Testi i vërtetë i sezonit është të shtunën në Wembley, ku sezonin e kaluar humbisnin në shifrat 4-1. Për këtë sfidë e të tjerat për “Sky Sport”, Shaqiri ka thënë: “Po pres ndeshjen, veçanërisht tani pasi në javët e ardhshme kemi shumë ndeshje të mira dhe të forta. Por, do të përpiqemi ta mbajmë performancën tonë të mirë dhe shpresoj të fitojmë shumë ndeshje”. Më pas sulmuesi shqiptar ka shtuar: “Ne stërvitemi shumë çdo ditë. Ju mund të shihni se në skuadrën tonë ka cilësi dhe ne punojmë shumë. Konkurrenca në futboll është shumë e mirë për lojtarët”.