Shaqiri: Ky ka qenë sezoni më i mirë për mua
Reprezentuesi i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka treguar arsyet e formës së tij të mirë me Stoke Cityn, ku në ndeshjet e fundit po shkëlqen duke shënuar edhe gola. Futbollisti shqiptar ka bërë me dije se kjo është meritë edhe e trajnerit të ri, Paul Lambert.
“Nuk është sezoni më i mirë për Stoke, por si lojtar ju tentoni të bëni më të mirën për të dhuruar paraqitje të mira. Personalisht, ky ka qenë sezoni më i mirë për mua dhe jam i kënaqur me paraqitjet këtë edicion. Por, nuk jam i kënaqur me atë se si po shkon sezoni për ekipin”, ka thënë Shaqiri, i cili më pas ka treguar edhe për dallimin në mes të Premierë Ligës, Serisë A dhe Bundesligës. “Kjo ligë është ndryshe nga Italia dhe Gjermania, pasi ju duhet të adaptoheni. Është viti im i tretë dhe mund të them se ‘tani jam këtu’ dhe se kam bërë shumë mirë. Në Premierë Ligë ju nevojitet kohë. Jam shumë i lumtur me paraqitjet e mija, por si ekip duhet të bëjmë më mirë”, ka shtuar ai.
Lidhur me trajnerin Paul Lambert, Shaqiri ka deklaruar: “Ai ka mentalitet gjermani me ekipet e veta. Jam shumë i lumtur që ai erdhi këtu. Në ekipet gjermane ata gjithmonë hanë së bashku dhe nuk ka telefona në tavolinë. Kjo na ka bashkuar. Kur hani së bashku ju mund të flisni me shokët e ekipit me të cilët normalisht ju nuk flisni shumë. Është gjë e mirë. Ju dënoheni nëse merrni telefonin tuaj në darkë. Duhet t’i respektoni rregullat. Çdokush e respekton këtë – ekipi është më kompakt tani. Kjo është e rëndësishme për një ekip që tani ka nevojë për këtë. Jemi me vetëbesim dhe të lumtur”.