Shaqiri meritor për formën e lartë të Liverpoolit
Liverpooli është duke kaluar në një formë të mrekullueshme këtë sezon, duke arritur t’i largohet Manchester Cityt për shtatë pikë, i cili është në pozitën e dytë të Premierligës.
Një nga lojtarët që ka ndikuar shumë në këtë formë është Xherdan Shaqiri dhe këtë gjë e dëshmojnë statistikat e tij për klubin anglez. Zvicerani me origjinë shqiptare arriti ta sigurojë një transferim në Liverpool nga Stoke City para pesë muajve, pasi ish-klubi i tij ra nga Premierliga në Championship. Shaqiri kishte qenë golashënuesi më i mirë në skuadrën e Stoke Cityt me tetë gola. Fillimisht ishte vënë në dyshim nëse Shaqiri e kishte aftësinë dhe etikën e punës që kërkohet për të luajtur për një trajner si Jurgen Kloppi. Megjithatë, në një intervistë pas njërës nga ndeshjet e këtij sezoni, Kloppi kishte thënë se Shaqiri i ka kaluar pritshmëritë e tij. Përkundër që ai nuk aktivizuar në të gjitha ndeshjet e Liverpoolit këtë sezon, statistikat e tij dëshmojnë se kur Shaqiri luan me “treshen e madhe”, Mohamed Salahun, Sadio Manen dhe Roberto Firminon, askush nuk mund t’i ndalojë djelmoshat e Kloppit. Kjo katërshe është kombinuar në tetë ndeshje të këtij sezoni dhe Liverpooli i ka fituar të gjitha ato. Jo vetëm që klubi anglez i ka fituar plot 24 pikë me këta lojtarë, gjatë këtyre ndeshjeve janë shënuar 22 gola. Statistikat më të mira për më së pakti minuta të kaluar për ta shënuar një gol ka Shaqiri, i cili ka arritur ta shënojë gol çdo 119 minuta lojë.
Për më tepër, kur Shaqiri, Mane, Salah dhe Firmino luajnë bashkë, Liverpooli e shënon një gol çdo 28 minuta. Ky sulm i mrekullueshëm nuk i ka dëmtuar as mbrojtësit, pasi Virgil Van Dijk ka arritur t’i ndihmojë Alissonit ta mbajë portën e paprekur në këto ndeshje. Alisson i ka pranuar vetëm shtatë gola gjatë këtij sezoni.