Shaqiri rikthehet te Baseli
Xherdan Shaqiri është bërë me skuadër të re. Futbollisti nga Zhegra është rikthyer në Zvicër, ku ka nënshkruar me ish-klubin e tij, Baselin. Në verën e vitit 2012, Xherdan Shaqiri la Baselin për të kaluar te Bayern Munchen.
Aty fitoi Ligën e Kampionëve dhe më pas u transferua në Inter. Përmes Stoke Cityt, “Shaq” arriti te Liverpooli, ku fitoi edhe një herë tjetër Ligën e Kampionëve. Pas një kalimi te Olympique Lyon, Shaqiri u transferua në Chicago. Tani, turneu i tij botëror ka marrë fund: Ish-ylli i Kombëtares së Zvicrës i bashkohet menjëherë FC Basel-it. Vetëm të mërkurën u bë e ditur se Xherdan Shaqiri ka përfunduar kontratën e tij me Chicagon me efekt të menjëhershëm.
Të premten, FC Basel bëri të ditur se ish-ylli i Kombëtares së Zvicrës po kthehet në shtëpi. Tani, 125 herë ndërkombëtari zviceran ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin e tij të zemrës, deri në verën e vitit 2027, dhe do të mbajë numrin 10.