Shaqiri tifozit me aftësi të kufizuara mbrëmë i dhuroi fanellën
Xherdan Shaqiri ka treguar se është njëri nga ne, para, gjatë dhe pas ndeshjes.
Sulmuesi kosovar me pasaportë zvicerane ka përjetuar një nga ndeshjet më emocionuese në karrierën e tij pasi pritja që i është bërë në Kosovë ka qenë fantastike.
Shaqiri u duartrokit në fillimi të ndeshjes, por edhe në momentin e zëvendësimit të tij i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për ta duartrokitur gjilanasin i cili gjithmonë ka treguar dashurinë për Kosovën duke e reprezentuar në mënyrën më të mirë të mundshme kudo që ka luajtur.
31-vjeçari ka bërë një gjest fantastik pas përfundimit të ndeshjes, duke i dhuruar fanellën e tij një tifozi me aftësi të kufizuara.
Evi është një i ri nga Gjilani i cili është tifoz i madh i Dritës dhe Kosovës, pasi nuk mungon në asnjë ndeshje ku luan klubi bardhekaltër dhe Përfaqësuesja dardane.
Pas ndeshjes Shaqiri ka shkuar për ta takuar Evin duke e hequr fanellën e tij dhe duke ia dhuruar e duke e përqafuar atë.
Ka qenë një moment shumë emocionues, derisa Shaqiri ka marrë edhe njëherë duartrokitje për gjestin e bërë duke gëzuar Evin me një dhuratë të bukur.