Shaqirin e tërheq rikthimi në Itali
Trajneri i sapoemëruar i ekipit të Lazios u ka kërkuar drejtuesve një sulmues krahu për ta kompletuar organikën e tij. Në pëlqimet e trajnerit toskan është edhe Xherdan Shaqiri.
Futbollisti me origjinë shqiptare, i cili në të kaluarën ka mbrojtur ngjyrat e Interit, është shprehur i nderuar për këtë interesim. Ai ka folur me elozhe për drejtorin sportiv të Lazios, Igli Tare, duke thënë se ka një respekt për të. I pyetur nga mediat italiane për një rikthim në Itali, 29-vjeçari është përgjigjur: Do të ishte intriguese.
“Igli Tare ka bërë një punë të shkëlqyeshme te Lazio. Ndihem i nderuar për interesimin e tyre. E kam ndjekur Lazion për një kohë të gjatë. Është një skuadër e madhe. Sarri luan me formacionin 4-3-3. U përshtatet karakteristikave të mia dhe më pëlqen trajneri sepse praktikon një futboll sulmues. Do të ishte intriguese një rikthim im në Itali”, ka thënë Shaqiri.