Sharapova: S’kualifikimi më bëri më të fortë, objektiv kemi “Tokio 2020”
Tenistja ruse Maria Sharapova ka folur për vitin që po mbyllet dhe të ardhmen, pa anashkaluar edhe periudhën 15-mujore që qëndroi jashtë fushave për doping.
“Gjithnjë kam qenë një person i fortë, ashtu siç më keni parë dhe ashtu siç unë e kam parë veten. Në ndonjë rast jam ndjerë keq, në disa momente kam shkruar edhe ditar, por ajo ka qenë një periudhë e vështirë që më ka bërë më të fortë. Njerëzit që më kanë qëndruar pranë më kanë thënë se jam bërë më e fortë”, ka thënë Sharapova për “Bild”, raporton “Telesport”. “Ndeshjen e parë pas pezullimit e kisha luajtur qindra herë në mendjen time dhe isha gati, por ishte një ‘shock’ rikthimi në fushë, pasi asnjë sportist nuk stërvitet për një gjë të tillë, por për të luajtur gjithnjë”, tha Sharapova që, sa i përket të ardhmes, nuk ka një datë se deri kur do të luajë. “Dua të jem në Olimpiadën e Tokios dhe nëse nuk do të luaj do të jetë një zhgënjim. Gjithsesi, të shoh se si do të shkojnë gjërat gjatë 2018-s”, ka deklaruar Sharapova.