Sharlatanët!
Shkruan: Kimete Berisha
1. Mimoza Kusari e pyeti botën demokratike:
Si do të vepronit ju nëse do ta shihnit shkronjën Z në vendet tuaja?
– Derisa të pastrohet shkronja Z nga nami i keq i Putinit, Mimoza ka vendosur ta suspendojë Z-në, ta heq nga emri i saj dhe të quhet Mimoa.
Derisa t’i përgjigjet bota demokratike pyetjes së saj të thellë, unë po i tregoj me sinqeritet të madh se nëse në perëndim do ta shihnin një ‘Kusar’, do ta arrestonin.
2. Albin Kurti e ka postuar (në FB-në e tij) fjalimin e Gërvallës në Kuvend.
Gërvalla e ka fshehur pasurinë e saj materiale nga Kosova, pra e ka vjedhur pasurinë e saj…por, pasurinë shpirtërore dhe vokale, zërin e saj të hollë, nuk ia kursen atdheut.
Postimi i fjalimit të saj mediokër, është simptomë e frikës së Albin Kurtit nga Vjosa Osmani.
Albin Kurti nuk i tutët Putinit, por me të drejtë i tutët Vjosa Osmanit
(se fëmrat janë më të këqija si armike. Të shkatërrojnë kur të duket që po të duan më së shumti).
Veterani i luftës ideologjike, edhe frikën e ka me hile.
Nga Putini nuk tutët sepse nga ai e mbron Amerika (në Kosovë), e nga Vjosa Osmani, veç Zoti të shpëton.
3. Lulzim Hetemi mbrëmë e ka zbuluar sekretin e Viktoria’s.
Nga penxherja e komunës (Hotel Jugosllavia), e ka parë një serbiane të bukur me sandale të zeza, që e mbante në dorë një vekne të nxehtë.
Kur nuk ka shi (shqiptare), bën edhe breshër (serbe).
Politika agresive në Veri po zbutet nga prirja e kryetarit për bukuri fizike.
Në poezinë shqipe, Zveçanin e puth agimi, e Leposaviçi ka pas mbetur i paputhur deri tash.
4. Albin Kurti tha se ai është i pari që e ka zbuluar se Putini është njeri i keq, dhe menjëherë i ka treguar botës.
Por, nuk tregoi se Vjosa Osmani i ka treguar atij…
5. Pas Albin Kurtit, Kina e ka sfiduar Amerikën.
Kjo e fundit ia ka tërhequr vërejtjen Kinës.
Kosova është vendi i parë në historinë amerikane, që ia ka zbuluar pafuqinë Amerikës.
Tash, që Albin Kurti e ka zbuluar se politika zyrtare amerikane është naive, u frymëzuan budallenjtë e botës kundër Amerikës.
Amerika, Albin Kurtit i duket si këta tregtarët milionerë me shorce në plazh, që kanë pare dhe pushtet material, ama nuk kanë dije.
6. Antony Blinken e ka marrë shumë seriozisht akuzën e Albin Kurtit për padije.
Bile është mbyllur në shtëpi, sepse ka filluar ta lexojë një libër me aforizma.
Me rastin e çeljes së kopertinës së librit, familjarëve u ka thënë ‘Wish me luck’.
Këta librat me aforizma shërbejnë për t’u bërë i ditur në situata urgjente, kur nuk ke kohë të bëhesh i ditur dalëngadalë.
– ‘Si të dukesh i mençur, shpejt e shpejt’, thirret libri!
Blinken e ka shqyrtuar mundësinë që në të ardhmen të bart libra nën sqetull, nëpër takime.
Ky është një sekret klasik që të bën të dukesh i mençur:
e merr me vete gjithmonë një libër, dhe kështu, atyre që nuk lexojnë ti u lë përshtypje si i ditur.
Unë kohëve të fundit, nga meraku që nuk po bie në sy mjaftueshëm, po e mbaj me vete një roman 4 kilogramë, me kopertina ngjyrë zjarri.
Se romanët ‘e hollë’ më nuk po japin rezultate tek shqiptarët.
7. Albin Kurti ka kërkuar nga mediat e huaja që t’u thonë kriminelëve serbë – ta ndalin dhunën në Veri, nëse duan të bëhet siç duan ata.
Këtu ka folur në frymën e veteranit tē luftës…
Një herë Çak Norrisi ka hyrë në ushtri dhe prej atëherë ekziston fraza ‘Army of one’!
8. Mimoa i urren amerikanët që nga çasti kur e humbi komunën e Gjakovës. Ambasadorja amerikane (atëbotë) i kishte kërkuar Mimozës që t’i lejojë pelegrinët serbë ta vizitojnë Gjakovën.
Por, kjo s’ka ‘guxuar’ nga protestuesit dhe këtu, për të, Amerika mori fund.
U nervozua, shkoi te Albini dhe i spiunoi fjalët e ambasasores amerikane.
9. Për inat të Amerikës, Mimoza po thotë që Asociacioni do të bëhet vetëm sipas Kushtetutës.
Facta non verba!
….Të gjitha veprimet e Albin Kurtit (se qeveria Kurti nuk ekziston, ekziston veç Albin Kurti…),
deri më tash e kanë demantuar dhe deligjitimuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese kundër Asociacionit një-etnik.
Në Veri paska edhe shqiptarë pra, kur të bëhet Asociacioni (i Albin Kurtit), nuk do të quhet një-etnik.
Se, qe, Lulzimi është shqiptar, Atiči është boshnjak…!
10. Në fillim, ministri i policisë e mori një Rolex të 30 mijë Eurove dhuratë nga sheiku i Katarit. E deklaroi në doganë. Dhe prej atëherë, koha Kurti u matë me Hënë….
P.S. Më në fund, Luizi e këndoi një këngë të keqe ‘Përjetësisht’, dhe Edi Rama e tha një fjali pa pikë sharmi: ‘Sa herë vjen vera, serbëve dhe shqiptarëve u nxehen kokat, ndoshta që s’kanë det!