“Sharr Travel” dhe “Regjina Hotel Group” zhvillojnë turizmin
Agjencia turistike “Sharr Travel”, për nder të 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka organizuar një udhëtim për qytetarët kosovarë të cilët dëshirojnë të festojnë këtë festë në qytetin e Vlorës. Ofertës së “Sharr Travelit”, me pronar Ruzhdi Kurtishaj, i janë përgjigjur mbi 120 turistë, të cilët me autobus të kësaj agjencie turistike kanë udhëtuar për Vlorë.
Akomodimi i qytetarëve kosovarë është bërë në “Regjina Hotel”, i cili ka ofruar një meny të begatshme. Po ashtu, vizitorët, përpos vizitave në vendet turistike që ofron Vlora, kanë vizituar edhe Ishullin Sazan dhe Karaburun, ku janë ndarë të mahnitur. Shumë vizitorë që kanë qenë për herë të parë në qytetin e Vlorës kanë premtuar dhe janë zotuar se edhe gjatë sezonit turistik do të shkojnë për pushime në këtë vend.
Pronari i “Sharr Travel”-it, Ruzhdi Kurtishaj, i cili është edhe përfaqësues i dhomës së tregtisë së Kosovës, gjatë qëndrimit në Vlorë është pritur edhe nga nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Shkëlqim Rama, i cili ua ka uruar kosovarëve festën e pavarësisë si dhe i ka njoftuar ata me investimet infrastrukturore të qeverisë shqiptare dhe atyre hoteliere që pushuesve t’u ofrohet rehati dhe shërbim sa më i mirë dhe më cilësor. “Qyteti i Vlorës dhe ne jemi të lumtur kur një vizitor që ka qenë në Vlorë vendos prapë ta vizitojë atë”, ka thënë nënkryetari Rama, i cili ka kërkuar nga kosovarët ta vizitojnë sa më shumë qytetin e pavarësisë së Shqipërisë.
Edhe Kurtishaj është zotuar se falë bashkëpunimit që ka me Shoqatën e Operatorëve Turistik të Jugut të Shqipërisë, pikërisht me kryetarin e saj, Rasim Bedinaj, ky bashkëpunim në fushën turistike nuk do të mungojë asnjëherë.
Kurtishaj ka falënderuar pronarët e hotel “Regjinës” dhe të hoteleve të tjera të Vlorës për mikpritjen dhe shërbimet që ofrojnë për turistët dhe pushuesit e tyre.
“Sharr Travel” do të ofrojë oferta të leverdishme për turistë dhe vizitorë kosovarë me linja të rregullta turistike me nisje çdo të premte dhe kthim çdo të diel Prishtinë – Vlorë dhe anasjelltas.
Kjo ofertë ka filluar në festën e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2019, dhe do të vazhdojë deri në festën e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 2019.