Shasivar Makolli – Çali ishte veprimtar madh i çështjes kombëtare (Foto)

26 prill 2019 | 15:11

Në trevjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Shasivar Makolli – Çali, është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore për të.
Në zbulimin e kësaj pllake dhe në trevjetorin e ndarjes nga jeta të Shasivar Makolli – Çali, morën pjesë bashkëveprimtarë të tij të çështjes kombëtare, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të OVLUÇK-së, miq dhe familjarë.

Bashkëveprimtari i Shasivar Makollit, Bardhyl Mahmuti, ka thënë se sot po përkujtojnë njërin nga veprimtarët më të mëdhenj të çështjes kombëtare.

Ai ka thënë se sa herë është folur për çështjen kombëtare, Shasivar Makolli – Çali ka qenë aty.

“Me lejoni që fillimisht të përshëndes djalin e bacës Adem, Shqiptar Demaçi, i cili është prezentë sot në këtë përvjetor. Shasivar Makolli ka qenë krahë i djathtë i bacës Adem që prej kohësh kur është njohur me të. Sot jemi në trevjetorin e ndarjes fizike nga ne të Shasivar Makollit dhe vazhdimit në përjetësi të njërit nga veprimtarët më të mëdhenj të çështjes kombëtare. Sa herë është folur për çështjen kombëtare në prezencë të Shasivar Makollit siç thotë populli ‘mate veten’ Shasivar Makollin e ke pasur aty, qoftë për çështjen për shqiptarët në Kosovë, qoftë në atë pjesën e Kosovës me kryeqendër Shkupin që mbeti në Maqedoni, qoftë në të gjitha viset ku është folur shqip, Shasivar Makolli ka qenë një shtyllë e fuqishme dhe mbështetëse për të gjithë veprimtarët të cilët kanë qenë të rrezikuar”, ka thënë Bardhyl Mahmuti.

Ish i burgosuri politik, Barjush Xhemajli, në fjalën e tij ka thënë se ka pasur nderin që ta njoh Shasivar Makollin.

Xhemajli ka thënë se Shasivar Makolli ka qenë vazhdues i denjë i shqiptarëve jo vetëm në Kosovë.

“Kam pasur nderin që ta njoh bacën Shasivar. Brezit të tij i ka rënë një barrë e rëndë gjatë historisë. Tek baca Shasivar që në fillim ke mundur ta vëresh së mund të kesh besim te ai. Ai i ka bërë njerëzit jo vetëm që ta duan por edhe t’i bashkëngjiten veprimtarisë së tij. Është vështirë që një familje ta mbajë brez pas brezi flakën e lirisë gjithmonë ndezur. Baca Shasivar ka qenë vazhdues i denjë i shqiptarëve jo vetëm në Kosovë”, ka thënë Bajrush Xhemajli.

Zbulimin e pllakës përkujtimore të Shasivar Makollit – Çalit e bënë; Çlirim Haziri, Shqiptar Demaçi, Shaban Muja, Sylejman Krasniqi, Bardhyl Mahmuti, Muhamet Mavraj, Ardian Mehani, Xhelal Pakashtica, dhe Fatmir Arifi.

Gjithashtu sot në orën 16:00, në Teatrin Kombëtar  në Prishtinë do të mbahet tubim përkujtimor.

(Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka bërë me dije se…