Shatri: Duam të lëmë gjurmë në shtëpinë tonë
Për herë të parë në Kosovë do të organizohet Kampionati Evropian i Divizionit B (U20) në konkurrencën e femrave. Ky është një nga hapat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për masivizimin e basketbollit të femrave në Kosovë.
Nga 3 deri më 11 gusht Prishtina do të jetë arena e ndeshjeve të mëdha në Evropianin e basketbollit U-20, ku priten takime shumë interesante, por edhe shumë të rëndësishme, derisa kjo është edhe një provë për Kosovën që organizon një ngjarje kaq madhore.
Përveç organizimit, që është shumë i rëndësishëm, ky do të jetë edhe një test për Kosovën U-20 (femrat) që debuton në gara të nivelit të tillë. Përzgjedhësi i Kosovës U-20 (F), Fidan Shatri, flet për rrjedhën e përgatitjeve. “Në fillim kemi pasur probleme me terminë dhe disa lojtare kanë qenë të ngarkuara në mësime. Presim të na bashkëngjitet Besiana Shala nga Suedia. Ajo është shumë e rëndësishme për ne. Po mendoj se mund të përgatitemi fizikisht deri në fillimin e kampionatit, edhe pse kemi shumë kundërshtarë të fortë në grup”, është shprehur Shatri.
Kosova në Grupin A së bashku me Turqinë, Islandën dhe Kroacinë. “Kemi shumë lojtare nën moshën 18-vjeçare, derisa kundërshtarët kanë lojtare me moshë më të lartë. Gjithsesi për ne është e rëndësishme që kampionati po mbahet në Prishtinë dhe është kënaqësi t’i shohim shtete të fuqishme si Turqia, Kroacia, Islanda në shtëpinë tonë”, ka thënë Shatri.
“Ideja jonë është të paraqitemi sa më mirë. Duhet të jemi realë dhe të pranojmë se kundërshtarët janë më të fortë. Për shembull, Turqia A ka katër lojtare nga U-20 në ekipin e saj. Sidoqoftë, ne do të angazhohemi maksimalisht. Ideja për ta organizuar kampionatin në Prishtinë është pritur shumë mirë, për ta masivizuar basketbollin femëror në Kosovë dhe të jetë një motiv për lojtaret në Kosovë dhe tifozët t’i shohin yjet në Prishtinë. Edhe shtetet e tjera do ta shohin që vashat tona e duan basketbollin”, ka shtuar Shatri.