Shatri: Jemi i vetmi shtet në Evropë me palestra të mbyllura
Klubi i Basketbollit Prishtina në konkurrencën e femrave nuk po qëndron duarkryq para kampionatit të ri të basketbolli 2020/2021. “KosovaHome” është sponsori i ri, kurse ka vazhduar kontratat me disa nga lojtaret e edicionit të kaluar, si dhe ka rikthyer Gentiana Ismailin, derisa është përforcuar edhe me basketbollisten nga Shqipëria Elektra Zykaj. Gjithashtu skuadra prishtinase ka paralajmëruar përforcime të tjera.
Trajneri Fidan Shatri ka folur rreth përgatitjeve për edicionin e ri, duke qenë shumë aktiv, edhe pse vendi po përballet me pandeminë Covid-19. “Që shumë kohë jemi duke u marrë me organizim të skuadrës dhe jemi duke e kompletuar skuadrën për sezonin e ri. Natyrisht se situata me Covid-19 na ka ndërprerë edhe planin që kemi pasur që gjatë verës të punojmë me gjenerata te reja, pra me lojtare që janë e ardhmja e basketbollit të femrave. Fokusi kryesor do të jetë ngritja e cilësisë së lojtareve që janë më të reja, si dhe hap pas hapi ta krijojmë filozofinë e lojës me prurjet e reja”, është shprehur Shatri për faqen zyrtare të FBK-së.
Ai ka paralajmëruar të tjera përforcime, por shpreson se do ta marrin dritën e gjelbër për lejimin e stërvitjeve.
“Kemi vazhduar me disa lojtare kontratat që kanë qenë pjesë vitin e kaluar, me disa jemi në bisedime dhe një apo dy lojtare do të jenë prurje që nuk kanë qenë më herët pjesë e skuadrës. Gjithashtu, pjesë e skuadrës do të jenë edhe dy lojtare që janë të reja në moshë, që janë e ardhmja e basketbollit në vendin tonë, pasi që me vite u kemi dhënë hapësirë dhe mendoj se jemi në drejtim të duhur. Shpresoj që shumë shpejt Qeveria e Kosovës do t’i hapë palestrat, pasi që jemi i vetmi shtet në Ballkan dhe Evropë që nuk jemi duke punuar. Falënderoj sponsorin ‘KosovaHome’ për mbështetjen që po i jep klubit dhe besoj që së bashku do të bëhet punë e mirë për ngritje të nivelit të basketbollit të femrave”, ka shtuar Shatri.
Skuadra e Prishtinës edicionin e kaluar për herë të parë mori pjesë në FIBA Eurocup Women që, gjithashtu, ishte hera e parë për një skuadër nga Kosova pjesëmarrëse në këtë garë.