Shatri: Kosova me synime të mëdha në Kampionatin Evropian

13 qershor 2022 | 16:48

Përfaqësuesja e femrave A tash e disa ditë ka filluar stërvitjet për t’u përgatitur për ndeshjet në kuadër të FIBA Kampionatit Evropian të Shteteve të Vogla, që do të zhvillohet në Qipro. Rreth atmosferës në ekip në ditët e para të stërvitjeve ka folur përzgjedhësi Fidan Shatri.

“Çdo fillim është motivues, sidomos kur bëhet fjalë për Përfaqësuesen e Kosovës. Entuziazmi është maksimal si nga vajzat e Përfaqësueses, ashtu edhe për stafin. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që po i mbrojmë ngjyrat e shtetit dhe kur bëhet fjalë për mbrojtjen e ngjyrave të shtetit mundohemi që ta japim maksimumin”, ka thënë Shatri, i cili ka folur edhe për pritshmëritë rreth këtyre ndeshjeve. “Tash është viti i dytë dhe është thyer akulli për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare. Besoj se këto ditë që i kemi në dispozicion deri në udhëtimin në Qipro do të mundohemi që të përgatitemi sa më mirë për pjesëmarrje”, ka shtuar ai.

Vashat dardane zhvillojnë katër ndeshje për gjashtë ditë dhe, sipas Fidan Shatrit, ky ritëm i ndeshjeve mund të shkaktojë vështirësi. Këtë vit në listën e gjerë të Përfaqësueses janë ftuar edhe disa lojtare të reja që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit.

“Lista është baza e vitit të kaluar, pasi që edhe vitin e kaluar jemi munduar që ta kombinojmë listën me lojtare të vjetra të cilat ndër vite kanë kontribuar në basketbollin e femrave dhe lojtareve të reja. Po mendoj që kjo ecje nga viti i kaluar dhe ky vit të jetë një themel i një baze të Përfaqësueses që të jetë në kontinuitet edhe viteve të ardhshme”, ka deklaruar Shatri. “Synimet janë që të punojmë, përgatitemi dhe paraqitemi sa më mirë. Çdo trajner kërkon që të jetë sa më i suksesshëm me kombëtare, por për këto synime do t’i flasim pas përfundimit të kampionatit”, ka thënë Shatri.

Në fund ka edhe një mesazh për vashat dardane. “Mesazhi për vajzat të cilat janë të ftuara është që ta japin maksimumin, pasi që duhet të krenohen që përfaqësojnë ngjyrat dhe flamurin e shtetit duke u paraqitur sa më mirë në këtë Kampionat Evropian, ndërkaq për tifozët dardanët, shpresojmë ta kemi përkrahjen e njëjtë si vitin e kaluar edhe këtë vit”. Vashat dardane në vitin e kaluar janë stolisur me medaljen e bronztë, në pjesëmarrjen e tyre të parë në gara zyrtare të FIBA-së. Ndeshjen e parë Kosova e zhvillon më 28 qershor me Maltën, pastaj më 29 qershor ballafaqohet me Andorrën. Më 30 qershor Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parafundit me Qipron, kurse ndeshjen e fundit e zhvillon më 2 korrik ndaj Norvegjisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, ka shpërndarë një…