SHBA bisedon me tre vende për zhvendosjen e bashkëpunëtorëve afganë

08 korrik 2021 | 23:46

SHBA është në bisedime me Taxhikistanin, Kazakistanin dhe Uzbekistanin si vende ku mund të transferojë dhe strehojë përkohësisht 50 mijë shtetas afganë që janë të rrezikuar nga talebanët për shkak të bashkëpunimit me trupat amerikane në këtë 20 vite.

Lajmi njoftohet nga agjencia Reuters. Vendimi për të zhvendosur këta shtetas rrezikon rritjen e krizës në Afganistan, ndërkohë që luftimet mes forcave afgane, të përkrahura nga Shtetet e Bashkuara dhe talibanëve janë përkeqësuar në javët e fundit. Militantët kanë fituar kontrollin e disa zonave të mëdha të territorit dhe rrethuar qytetin e Konduzit.

Mijëra përkthyes afganë janë të kërcënuar nga talibanët, pasi kanë punuar për dy dekada me ushtrinë amerikane.

Shtetet e Bashkuara planifikojnë t’i transferojnë bashkëpunëtorët e tyre jashtë Afganistanit në një vend të tretë deri në momentin që të shqyrtohen aplikimet e kësaj kategorie për viza.

As zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki nuk ka dhënë shumë informacione për këtë çështje ditë më parë.

“Një nga arsyet se pse nuk do të jap detaje se në cilin shtet të tretë mund të shkojnë ata, se sa janë në numër, është për shkaqe sigurie, mirëpo sigurisht që planet tona janë që të dërgojmë këta individë jashtë Afganistanit, para se të largohet plotësisht ushtria jonë”, ka thënë Psaki.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ata që u kanë ndihmuar Shteteve të Bashkuara, nuk do të mbeten prapa, ndërkohë që mbrojti vendimin për tërheqjen e ushtrisë duke deklaruar se SHBA nuk shkoi në Afganistan për të ndërtuar shtetin.

Një ligjvënës i lartë republikan ka thënë se plani për të evakuuar afganët e rrezikuar, bashkë me familjet e tyre përfshin rreth 50.000 persona.

“Jemi duke identifikuar një grup të aplikantëve për viza speciale të imigrimit, të cilët kanë shërbyer si përkthyes, apo janë pjesë e kategorive të rrezikuara, që kanë punuar me ne. Ata do të dërgohen në një lokacion jashtë Afganistanit para se të tërhiqen të gjithë trupat tanë në shtator, në mënyrë që të kompletohet procesi i vizës”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës Biden, në kushte anonimiteti.

Uashingtoni është pajtuar për të tërhequr trupat, pas një marrëveshjeje të negociuar vitin e kaluar nën udhëheqjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Biden ka refuzuar këshillën e liderëve ushtarakë që të mos nisë tërheqja e trupave para se të arrihet një marrëveshje në mes të kryengritësve dhe Qeverisë së Presidentit afgan, Ashraf Ghani, e cila përkrahet nga Shtetet e Bashkuara.

Biden i ka thënë Ghanit javë më parë që afganët duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, ndërsa Ghani, në anën tjetër, ka thënë se është puna e tij që të “menaxhojë pasojat” e tërheqjes amerikane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka kritikuar ministrat e Qeverisë…