ShBA dërgon aeroplanmbajtësen e dytë në Lindjen e Mesme
Grupi sulmues i aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln ka mbërritur në Lindjen e Mesme këtë të enjte, duke iu bashkuar transportuesit USS Theodore Roosevelt, i cili është vendosur në rajon prej disa kohësh.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së në platformën ‘X’, “USS Abraham Lincoln” mban avionë luftarakë F-35 dhe F-18 dhe po shoqërohet nga një skuadron shkatërruesish.
Pentagoni dërgoi grupin transportues në rajon në fillim të këtij muaji pas vrasjes së shefit të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran dhe operativit të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr në Bejrut.
Izraeli mori përgjegjësinë për sulmin që vrau Shukr, por as konfirmoi dhe as mohoi përfshirjen në vdekjen e Haniyeh. Teherani, megjithatë, kërcënoi Izraelin me “ndëshkim të ashpër”, ndërsa shteti hebre po përgatitet për sulme ndërkufitare.
“Koha është në favorin tonë dhe periudha e pritjes për këtë përgjigje mund të jetë e gjatë”, tha të martën Alimohammad Naini, zëdhënës i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, nga ana tjetër, kërcënuan me më shumë sulme ushtarake kundër Hezbollahut në Liban, duke shkaktuar frikën e një pushtimi të plotë, ndaj prania e luftanijeve amerikane pasqyron frikën e një përshkallëzimi në Lindjen e Mesme.
Sakaq, SHBA dhe Izraeli janë të shqetësuara se Irani mund të kryejë një sulm të kombinuar ndaj shtetit hebre, duke punuar së bashku me grupe të ndryshme pro-palestineze, duke përfshirë Hezbollahun dhe rebelët Houthi të Jemenit.