ShBA dërgon dy nëndetëse në Korenë e Jugut

24 korrik 2023 | 15:26

Komanda e Kombeve të Bashkuara në Gashiullin Korean njoftoi se ka filluar komunikimin me Phenianin për ushtarin amerikan që javën e kaluar kaloi kufirin me vrap në drejtim të Koresë së Veriut.

Largimi i ushtarit ndodhi në një kohë tensionesh të larta në Gadishullin Korean, ku ritmi i demonstrimit të armëve të Koresë së Veriut dhe stërvitjeve të kombinuara ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë Jugore janë intensifikuar. Seuli njoftoi se një nëndetëse e dytë amerikane ka mbërritur në Korenë e Jugut brenda pak ditësh. Dy nëndetëse amerikane kanë arritur brenda pak ditësh në gadishullin korean. E para, që mban raketa balistike bërthamore arriti javën e kaluar, ndërsa të hënën arriti një tjetër nëndetëse që funksionon me energji bërthamore.

Nëndetësja “USS Annapolis” arriti të hënën në bazën detare në ishullin jugor të Koresë së Jugut, Jeju, tha marina e Seulit gjatë një konference për shtyp, pa dhënë detaje për misionin e saj. “Marina e Koresë së Jugut dhe e ShBA-së planifikojnë të forcojnë mbrojtjen e përbashkët me mbërritjen e nëndetëses USS Annapolis dhe të kryejnë aktivitete për të përkujtuar 70-vjetorin e aleancës”, tha Jang Do, komandanti i Marinës së Koresë së Jugut.  Nëndetësja amerikane me armë bërthamore “USS Kentucky”, arriti në Korenë e Jugut të martën e kaluar.

Kjo është hera e parë që një nëndetëse bërthamore amerikane arrin në gadishullin korean që nga vitet 1980. Arritja e nëndetëses përkon edhe me nisjen e bisedimeve mes ShBA-së dhe Koresë së Jugut për të koordinuar reagimet në rast të një lufte bërthamore me Korenë e Veriut. Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike të mërkurën, disa orë pas arritjes së nëndetëses amerikane ‘USS Kentucky’, ndërsa të shtunën lëshoi disa raketa nga anijet e saj. Ndërkaq vazhdojnë shqetësimet për ushtarin amerikan Travis King i cili vrapoi drejt Koresë së Veriut javën e kaluar duke e kaluar kufirin mes dy Koreve.

Zëvendëskomandanti i Komandës së OKB-së tha se ka nisur bisedimet me Penianin për ushtarin amerikan. Gjenerali Andrew Harrison tha se procesi ka nisur nëpërmjet linjave të komunikimit të ngritura në Zonën e Përbashkët të Sigurisë midis Koreve sipas marrëveshjes së armëpushimit që i dha fund luftës me Koreve në vitet 1950-53. “Nuk dua të spekuloj. Askush nga ne nuk e di se ku do të përfundojë kjo çështje. Unë jam optimist në jetë dhe mbetem optimist, por nuk dua të shtojë diçka më shumë”, tha gjeneral Andrew Harrison, nën-komandant i Komandës së Kombeve të Bashkuara. Koreja e Veriut nuk ka bërë asnjë koment për ushtarin amerikan Travis King, i cili të martën e kaluar, kaloi kufirin papritur duke shkuar në Korenë e Veriut, ndërkohë që duhej të kthehej në Shtetet e Bashkuara nga Seuli. Vizitat turistike në Zonën e Përbashkët të Sigurisë mes dy Koreve janë pezulluar që nga kalimi i ushtarit amerikan përtej kufirit.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditën e sotme është hedhur shorti për turin e tretë…